Gjermania i kërkon Zvicrës tanke Leopard 2

Gjermania i ka kërkuar Zvicrës që t’i shesë disa nga tanket e saj Leopard II, një marrëveshje që mund të lejojë Berlinin të rrisë ndihmën e tij ushtarake për Ukrainën.

Gjermania dëshiron që Zvicra t’i shesë disa nga tanket te prodhuesi Rheinmetall, gjë që do t’i lejonte kompanisë të plotësonte boshllëqet në armatimin e anëtarëve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, shkruan gazeta zvicerane, Blick.

Disa shtete, përfshirë Gjermaninë, Poloninë, Portugalinë, Finlandën dhe Suedinë kanë dërguar tanke Leopard për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet kundër sulmit rus, duke krijuar boshllëqe në arsenalet e tyre.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius dhe ministri i Ekonomisë, Robert Habeck informuan ministren zvicerane të Mbrojtjes, Viola Amherd për projektin në një letër të datës 23 shkurt.

Ata i kërkuan homologes së tyre zvicerane të binte dakord për shitjen, duke e garantuar se tanket nuk do të dërgohen në Ukrainë./Albeu.com/


Shtuar 3.03.2023 21:15