Kryeministri rus viziton Kinën për forumin ekonomik

Kryeministri rus Mikhail Mishustin ndodhet në Shangai dhe po merr pjesë në forumin ekonomik, në kuadër të një vizite dyditore gjatë së cilës do të takohet me presidentin kinez Xi Jinping.

Mishustin mbërriti në Shangai të hënën në mbrëmje, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme ruse.

Ai u prit nga ambasadori rus në Kinë, Igor Morgulov, si dhe ambasadori kinez në Moskë, Zhang Hanhui.

Në Shangai, kryeministri rus pritet të marrë pjesë në forumin e biznesit ruso-kinez si dhe janë planifikuar bisedime me përfaqësues të qarqeve të biznesit rus në Kinë,

Një numër i biznesmenëve rusë që janë objektiv i sanksioneve perëndimore, veçanërisht në sektorët e çelikut, minierave dhe plehrave, si dhe zëvendëskryeministri përgjegjës për energjinë Aleksandar Novak, janë të ftuar në forum.

Kina u bë blerësi më i madh i Rusisë në sektorin e energjisë vitin e kaluar, duke lejuar Moskën, e cila është vënë nën sanksionet perëndimore për shkak të luftës së saj në Ukrainë, të shmangte një kolaps në eksportet e saj të gazit.

Të mërkurën, Mishustin do të udhëtojë për në Pekin, ku do të takohet me presidentin e Kinës dhe kryeministrin Li Jiang.

Kina dhe Rusia kanë forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe kontaktet diplomatike në vitet e fundit.

Partneriteti i tyre strategjik është bërë edhe më i fortë që nga pushtimi rus i Ukrainës , dhe analistët besojnë se Kina tani ka një avantazh në marrëdhëniet, duke pasur parasysh izolimin e Rusisë në skenën ndërkombëtare.Pekini pretendon të jetë neutral në konflikt, por nuk e ka dënuar publikisht pushtimin e Ukrainës.

Në muajin shkurt, qeveria kineze publikoi një dokument që bën thirrje për një “zgjidhje politike” të konfliktit dhe respektimin e integritetit territorial të të gjitha vendeve, ku përfshihet edhe Ukraina.

Në samitin e marsit në Moskë , presidenti Xi ftoi homologun e tij Vladimir Putin të vizitonte Pekinin./REL


Shtuar 23.05.2023 13:25