A do të jetë Ukraina fundi i Perandorisë ruse?

Nga Peter Harris “19 FortyFive

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Nuk ka ende asnjë skenar konkret se si, kur apo pse do të vijë paqja në Ukrainë. Ndoshta ofensiva pranverore e shumëpërfolur e Kievit do të sjellë shkatërrimin e pozicioneve ushtarake ruse dhe çlirimin e të gjitha territoreve të pushtuara.

Ose palët ndërluftuese mund të bien dakord për një armëpushim që e ngrin konfliktin dhe krijon terrenin për negociata të stërzgjatura mbi ndarjen e Ukrainës dhe popullatës së saj të rrethuar. Ose ndoshta lufta do të zgjasë për vitet në vijim, duke përfunduar vetëm kur njëra ose të dyja palët të jenë rraskapitur plotësisht.

Çfarëdo që të ndodhë, paqja në Evropën Lindore do të jetë kalimtare në rast se nuk mbështetet nga një regjim i qëndrueshëm parandalues. Dhe kjo do të thotë se çdo zgjidhje e pasluftës midis Rusisë dhe Ukrainës do të vlejë vetëm nëse të dyja palët mund të distancohen nga përdorimi i forcës së armëve për të kërkuar një marrëveshje më të mirë në të ardhmen. Mjerisht, është e vështirë të parashikohet se si mund të duket në praktikë një zgjidhje e tillë.

Ky realitet i hidhur duhet të zbusë pritshmëritë për një paqe të qëndrueshme së shpejti. Së pari, duhet marrë parasysh se çdo marrëveshje paqeje – qoftë një armëpushim i përkohshëm apo një zgjidhje e përhershme – do të jetë në thelb e patolerueshme nga perspektiva e Ukrainës, sidomos nëse ajo nuk përcakton çlirimin e të gjitha territoreve të pushtuara, përfshirë Krimenë dhe Donbasin.

Këtu problemi është se lëshimet e bëra ndaj Rusisë nën presion do të mbjellin pothuajse me siguri farat e indinjatës, zemërimit dhe revanshizmit në shoqërinë ukrainase. Edhe nëse e pranojnë ndarjen e Ukrainës si një masë afatshkurtër për të ndalur gjakderdhjen, udhëheqësit në Kiev do të përballen me shumë gjasa me një presion të madh të brendshëm për të rimarrë territoret e humbura nëse do të krijohet ndonjëherë mundësia në të ardhmen.

Por nga ana tjetër Rusia duket se ka shumë të ngjarë që t’i japë fund luftës duke u ndjerë e pakënaqur me rezultatin. Tek e fundit, Vladimir Putin e nisi pushtimin e Ukrainës duke pasur në mendje synime maksimaliste.

Për të ka qenë poshtëruese që ushtria e degraduar e Rusisë dështoi të pushtojë Kievin, të rrëzojë presidentin Zelensky apo ta detyrojë Ukrainën të anojë nga Rusia dhe jo Perëndimi. Nëse Putini del nga kjo luftë me më pak nga sa mendonte dikur të mundshme, ai mund ta shohë një luftë tjetër si më të preferueshme përballë një paqeje e palavdishme.

Ndaj edhe kur të vijë paqja, si Ukraina po ashtu edhe Rusia mund të përballen me stimuj të konsiderueshëm për të rifilluar luftën, si një mjet për të siguruar kushte më të mira sesa arritën të merrnin gjatë raundit të parë të luftimeve. Në këto kushte, mënyra e vetme për të parandaluar rifillimin e armiqësive nga secila palë, do të jetë bindja e tyre se ripërtëritja e luftimeve do të jetë tepër e kushtueshme.

Por si mund të bëhet kjo? Sigurisht, nuk ka zgjidhje të lehta. Mund të supozohet se Rusia ka më së paku frikë nga një Ukrainë revanshiste, duke pasur parasysh se arsenali bërthamor i Moskës dhe forcat konvencionale ende të mëdha (pavarësisht pakësimit) përbëjnë një grup të fuqishëm parandalues.

Nga ky këndvështrim, Ukraina mund të frustrohet nga detyrimi për të bërë lëshime territoriale ndaj Rusisë. Por ukrainasit vështirë se do të jenë në gjendje të veprojnë sipas pakënaqësive të tyre, pa u përballur me pasoja ndëshkuese. Gjithsesi, edhe nëse qeveria ukrainase mund të bindet të pranojë një paqe me Rusinë, kjo nuk do të ishte garanci kundër forcave të parregullta (luftëtarët e lirisë) që do të zhvillonin një luftë guerile kundër pushtuesve rusë.

Siç është shprehur me të drejtë romancieri kolumbian Gabriel García Márquez “Është më e lehtë të nisësh një luftë sesa t’i japësh fund asaj”. Natyrisht, udhëheqësit në Kiev do të jenë edhe më të kujdesshëm për t’i besuar Rusisë në lidhje me respektimin e kushteve të çdo marrëveshjeje të ardhshme të paqes.

Putini u betua disa herë se nuk kishte plane për të sulmuar Ukrainën, por më pas urdhëroi një pushtim masiv dhe të pamëshirshëm. E si mund të jetë e sigurt Ukraina se Rusia nuk do të bëjë më të njëjtën gjë? Çfarë mund ta qetësojë popullin ukrainas se Putin – një tiran që e mohon legjitimitetin e shtetit të tyre dhe i quan ata nazistë – ka hequr dorë nga ambiciet e tij për t’i shtypur?

Sigurisht, asgjë që thotë Moska nuk do të ketë ndonjë peshë. Ndaj do t’u takojë fuqive të jashtme – palëve të treta – që ta ndihmojnë Rusinë dhe Ukrainën të kapërcejnë këto çështje paralizuese të mosbesimit dhe padrejtësisë së perceptuar.

Por deri më tani, asnjë palë e tretë ­ as Shtetet e Bashkuara, as Bashkimi Evropian, as NATO dhe as  Kina – nuk kanë ofruar ndonjë zgjidhje për problemet themelore të paqe-bërjes të përshkruara më sipër.

Perëndimi këmbëngul se Ukraina mund dhe duhet të dëbojë forcat ruse nga territori ukrainas, por ka dështuar t’i bashkohet shpresave të tilla për një fitore afatshkurtër dhe me një plan të besueshëm për paqen afatgjatë. Ndërkohë, Kina flet formalisht mbi sovranitetin dhe integritetin territorial, por nga ana tjetër ka refuzuar të përdorë ndikimin e saj të konsiderueshëm mbi Moskën, për të garantuar respektimin e të drejtave të Ukrainës sipas ligjit ndërkombëtar.

Ndoshta realiteti është se asnjë qeveri nuk e dëshiron paqen në vetvete. As Moska, as Kievi dhe asnjë nga fuqitë e jashtme. Të gjitha qeveritë duan paqe me kushtet e tyre të preferuara. Tani për tani, si Ukraina po ashtu edhe Rusia, besojnë se kanë një shans të madh për të siguruar një zgjidhje më të mirë afatgjatë përmes luftimeve dhe jo bisedimeve.

Asnjë fuqi e jashtme nuk ka dëshirën apo aftësinë për t’i bindur palët ndërluftuese se e kanë gabim. Kur do të ndryshojnë këto përllogaritje? Kur do t’i lënë vendin diplomacisë dhe akomodimit vrasjet në fushën e betejës? Vetëm kur palët ndërluftuese ta shohin ndalimin e luftës si të pajtueshme me ruajtjen e interesave të tyre thelbësore kombëtare. Deri më tani, ndryshime të tilla në perceptim janë dëshpërimisht të vështira për t’u imagjinuar. /albeu.com

Shënim:Dr.Peter Harris, profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Kolorados, SHBA.


Shtuar 10.05.2023 08:39