Nuk justifikoi pasurinë, Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin për kriminelin famëkeq nga Berati

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të lërë në fuqi vendimin për Edison Çobo-n, të cilit në vitin 2020 iu kërkua nga OFL-ja të justifikonte pasurinë.

Pas këtij vendimi gjakata vendosi sekuestrimin e pasurive të shtetasit Edison Çobo, që janë apartamente dhe zona kadastrale.

Në vitin 2020 atij iu kërkua nga OFL-ja të justifikonte pasurinë, ndryshe do t’i sekuestrohej. Edison Çobo rezulton të jetë dënuar në Itali për trafik të lëndëve narkotike. Policia e Beratit e  ka arrestuar në vitin 2018 ndërsa ai cilësohet si person me rrezikshmëri të lartë.

Çobo ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendim nr.4137 dt.25.09.2017 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale, “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.

Kush është Edison Çobo

Çobo ishte vendosur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendim nr.4137 dt.25.09.2017 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale, “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.

Por përveç kësaj Edison Çobo njihet ndryshe si person me rrezikshmëri të lartë kriminale për shkak të veprave kriminale që kryer ndër vite. Më mizorja ka qenë ajo e vitit 2013 ku 45-vjeçari në bashkëpunim me 3 të tjerë të maskuar dhe me armë kanë grabitur ish-mikun e tyre Edmond Piti dhe kanë terrorizuar familjen e tij dhe e gjitha ka ndodhur për prishje të pazareve të drogës .

Katër persona të maskuar dhe me armë janë futur nga dritarja e lënë hapur për shkak të vapës. Më pas janë ngjitur në katin e dytë të ndërtesës duke u futur në dhomën ku flinte biznesmeni 40-vjeçar Edmond Piti. Ai është pronar i një karburanti në aksin nacional Berat-Lushnjë, në vendin e quajtur “Kthesa e Çifligut” dhe i dy lokaleve në Tiranë, ndërsa dyshohet se shumën prej 20 milionë lekësh e kishte tërhequr pak ditë më parë për të hapur një tjetër karburant.

Në sajë të hetimeve dhe të dëshmisë së të dëmtuarit, autorët, që kanë qenë katër persona me maskë dhe armë, e kanë qëlluar me qytën e automatikut në kokë teksa ai ishte në gjumë. Ata e kanë dhunuar dhe nën kërcënimin e armës i kanë kërkuar t’u jepte çelësat e kasafortës.

“Katër personat i janë afruar banesës gjatë natës. Ata kanë shfrytëzuar faktin se nipi im kishte lënë dritaren hapur, pasi ishte shumë vapë. Kanë hyrë nga dritarja e katit të parë dhe më pas janë ngjitur në katin e dytë. Janë afruar te Edmondi, te krevati ku flinte, dhe e kanë qëlluar me qytën e automatikut. I thanë ‘ngrihu’ dhe e lidhën me litar. Të tjerët shkuan në dhomën e nënës dhe i kërkuan të mos bërtiste se nuk do t’i bënin gjë.

Në këtë moment ka ndier vajza e Edmondit, e cila atë natë flinte me prindërit në krevat, dhe nisi të qante. E kanë kërcënuar bashkë me bashkëshorten e Edmondit që të mos bënin gjë dhe i kane lidhur me litar.” Rrëfimi i një prej të afërme të Edmond Pitit.

/albeu.com/


Shtuar 6.03.2023 13:02