Putin ka edhe një shans të fundit për ta shantazhuar Evropën përmes energjisë

Nga Matthew Lynn “Daily Telegraph

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ndërsa shumica e kompanive postojnë fotografi shumëngjyrëshe të produkteve të reja, klientëve të kënaqur dhe stafit të buzëqeshur, gjiganti shtetëror rus i energjisë “Gazprom” përdor vazhdimisht kërcënime të nënkuptuara dhe ngacmime ndaj vendeve evropiane.

Gjatë ditëve të fundit, ajo ka bërë nëpërmjet profileve të saj në Twitter dhe Telegram një paralajmërim të frikshëm, se Evropa është ende e kërcënuar nga mungesa e energjisë. Natyrisht, do të ishte e lehtë ta hedhim poshtë këtë si një gangsterizëm korporativ vetë-shërbyes.

E megjithatë ai përmban një pjesë të vërtete. Ne ishim shumë me fat që e kaluam dimrin e fundit pa ndërprerje energjie në të gjithë Evropën, dhe po na mbaron koha për të çaktivizuar “bombën e gazit” që mund të hedhë ende në erë ekonominë. Teksa po çelin lulet në pemë, po fiken termostatet, mund të na duket sikur e kemi lënë pas krizën energjetike.

Ne i mbijetuam dimrit pa ndërprerje të energjisë elektrike, racionime, apo mbylljen e shkollave dhe fabrikave, një skenar që u duk shumë realist gjatë gjithë nëntorit dhe dhjetorit 2022. Gjithsesi, nëse dikush mendonte se kriza kishte mbaruar, Gazprom është aty për të na kujtuar se furnizuesi i energjisë i Vladimir Putin, është ende një forcë që duhet marrë në konsideratë.

Objektet e depozitimit të gazit të Evropës kanë tashmë 60 për qind të kapacitetit, theksoi kompania ruse, dhe do të duhet të rimbushen gjatë muajve në vijim. ”Kjo gjë do të jetë shumë e vështirë për t’u bërë, duke pasur parasysh vendimet e motivuara politikisht

që synojnë refuzimin e importit të gazit rus. Vëllimi i gazit të disponueshëm në tregun evropian, do të ndikohet shumë nga konkurrenca për gazin e lëngshëm, LNG”- thekson më tej Gazprom.

Është e vërtetë, që kjo e fundit nuk është saktësisht një burim neutral informacioni. Evropa arriti të distancohej nga gazi rus më shpejt nga sa pritej nga cilido kur ushtria ruse lëvizi përtej kufirit ukrainas 14 muaj më parë, dhe me më pak ndërprerje energjie.

Deri më tani, kjo i ka dhënë mundësi disa vendeve që të ruajnë mbështetjen e fuqishme për Kievin. Dritat nuk u fikën këtë dimër. Zyrat dhe shkollat ​​qëndruan të hapura. Dhe ekonomia vazhdoi të funksiononte. E megjithatë, me gjithë kërcënimet, ka ende një element të vërtetë në ato që thotë Gazprom.

Siç e di mirë dhe Putin, ne patëm shumë fat dimrin e kaluar. Por nuk kemi garanci se fati i mirë do të qëndrojë me ne. Tre ishin arsyet kryesore pse arritën të mos kishim shumë probleme pas ndërprerjes së importeve nga Rusia. Së pari, temperaturat ishin relativisht të buta.

Që nga fundi i shtatorit të kaluar, temperaturat mesatare në Gjermani, konsumatori më i madh i gazit në Evropë, kanë qenë 25 për qind ose 1.58 gradë Celsius mbi normalen, sipas të dhënave nga Refinitiv. Në Alpet zvicerane, ishte aq ngrohtë sa pati shumë pak borë në resortet e skive.

Në të gjithë kontinentin ishte më ngrohtë se zakonisht. Por ne nuk mund të llogarisim se do të kemi mot të butë për 2 vjet me radhë (në fakt, mesataret e thjeshta sugjerojnë se na pret një dimër i ftohtë). Ndërkohë, furnizimet shtesë nga Katari dhe mbi të gjitha nga SHBA-ja e ndihmuar nga një industri në lulëzim e gazit, nënkuptonte se mund të kishte pasur më shumë LNG në treg.

Por në kushtet e një ekonomie globale në rimëkëmbje, dhe një rritje të ndjeshme të kërkesës nga Azia, nuk duhet të mbështetemi as kjo rritje. Së fundi, me shpërthimin e luftës në Ukrainë, kompanitë dhe konsumatorët ishin të gatshëm të bënin kursime.

Shumë qytete fikën dritat e Krishtlindjeve dhe disa fabrika, sidomos në qendrat e industrisë së rëndë gjermane, kaluan tek karburante alternative, edhe pse ato kushtojnë më shumë. Por kjo qasje mund të mos vazhdojë për shumë gjatë. Për të mbajtur ndezur dritat, nuk mund të mbështetemi vetëm tek fati.

Dhe pavarësisht masave të marra për të kufizuar varësinë nga gazi rus, ai përbën ende mbi gjysmën e importeve në Sllovaki, Estoni, Poloni dhe Gjermani. Kur Rusia frenoi furnizimet ndaj Evropës vitin e kaluar, gara për të gjetur furnizime alternative çoi në një rritje të çmimeve dhe e thelloi ndjeshëm krizën e kostos së jetesës.

Dimrin e kaluar, shumë vende evropiane harxhuan shuma të mëdha parash për këtë çështje, duke krijuar deficite të mëdha për të siguruar furnizimet me LNG në një treg global shumë

të kufizuar. Nëse dimri që vjen do të jetë i ftohtë, nëse kërkesa rritet sërish, nëse tregu i LNG-së mbetet me një ofertë të kufizuar, nëse moti na heq mundësinë e përdorimit të energjinë e erës, apo nëse termocentralet bërthamore të Francës kanë nevojë për më shumë riparime apo përballen me greva, shumë shpejt mund ta gjejmë veten duke diskutuar sërish për ndërprerjet e energjisë elektrike dhe racionimin e saj.

Mbështetja jonë tek energjia e huaj nuk është aspak e rastësishme. Është rezultat i një sërë vendimesh të qëllimshme politike, dhe të gjitha ato kanë qenë të gabuara. Ne arritëm t’i mbanim dritat të ndezura gjatë dimrit, por kjo erdhi me një kosto.

Mund të kishte qenë shumë më keq, dhe siç na e ka kujtuar ​​Gazprom, kriza nuk ka përfunduar ende. Rregullimi i çatisë ndërsa dielli shkëlqen ende, është klisheja më e vjetër në manualin e lojërave politike. Por gjatë 6 muajve të ardhshëm, ne duhet të mësojmë leksionin e vitit të kaluar, dhe të sigurohemi që të kemi furnizime shumë më të sigurta me energji deri para mbërritjes së të ftohtit.


Shtuar 22.04.2023 12:38