Vuçiç heq dorë nga drejtimi i partisë të tij

Vuçiç heq dorë nga drejtimi i partisë të tij, fton liderët e opozitës në dialog.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në tubimin e sotem  të Partisë Përparimtare Serbe, para Kuvendit në Beograd, ka njoftuar se nga nesër nuk do të jetë më kryetar i asaj partie. 

Vuçiq e tha këtë në një tubim të organizuar nga Partia e tij Progrsive Serbe (SNS) në qendër të Beogradit, kur ditët e kaluara, dhjetëra mijëra njerëz protestuan me ftesë të opozitës, të pakënaqur me reagimin e qeverisë ndaj vrasjeve masive që tronditën vendin.

“I ftoj në bisedë dhe dialog edhe ata politikanë, për të cilët mendoj më të keqen. Nga nesër dera ime është e hapur për secilin prej tyre, për të zgjidhur problemet në institucionet e sistemit”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se problemet nuk zgjidhen në autostradë, duke aluduar në dy protestat e mëparshme qytetare, ku dhjetëra mijëra demonstrues bllokuan autostradën në urën Gazela në Beograd.

Sipas tij, “atyre politikanëve nuk u interesonin fëmijët”, por si “të më largojnë mua nga pushteti”.

“Ju ftoj të bisedojmë, por nuk do të ketë qeveri tranzitore. Qeveria do të zgjidhet në zgjedhje”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se pas masakrës në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd dhe në fshatrat përreth Mlladenovcit, Qeveria e Serbisë ka zbatuar një sërë masash për uljen e dhunës.

“Për njëmbëdhjetë vjet, i shërbeva me besim dhe besnikëri shtetit dhe popullit tim. Unë kam qenë kryetar i Partisë Përparimtare Serbe për njëmbëdhjetë vjet. Nesër, dikush tjetër do të marrë në dorë Partinë Progresive Serbe time, tuajën, tonën”, tha Vuçiç.

Ai tha se nga e shtuna partinë e marrin “disa njerëz të mrekullueshëm” dhe se nga 28 qershori nisin formimin e Lëvizjes për popullin dhe shtetin.

Të tubuarve para Kuvendit Popullor, u është drejtuar edhe ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijarto. Ai tha se Hungaria dhe Serbia janë të ekspozuar ndaj sulmeve, sepse liderët e tyre “dëshirojnë paqe në Ukrainë, luftojnë për vlerat familjare dhe nuk duan t’u shërbejnë interesave të huaja”.

“Ata do të na sulmojnë, sepse nuk mund të pranojnë që ne hungarezët dhe serbët ndjekim interesat tona kombëtare dhe të jemi të suksesshëm”, tha Szijarto.

Ai u bëri thirrje të tubuarve “të mbështesin presidentin e tyre” dhe tha se partitë “që u shërbejnë interesave të huaja, duhet të mposhten dhe për fat të mirë kjo ndodh rregullisht në të dy vendet”.

Gjatë ditës në Beograd kanë arritur qindra autobusë nga qytetet e Serbisë, por edhe nga vendet përreth, me të cilët kanë arritur mbështetësit e SNS-së.

Në tubim, ndër të tjerë, foli ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë dhe kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë, partnere e koalicionit të SNS-së, Ivica Daçiq.

Ai akuzoi një pjesë të opozitës, e cila organizon protesta kundër dhunës, se duan të vijnë në pushtet në këtë mënyrë. Ai shtoi se tubimi i sotëm nuk është një tubim politik, por një mesazh i “Serbisë së edukuar dhe të denjë”.

“Dua t’u them të gjithë atyre që u ngritën mbi vendin tonë: ne nuk e japim Serbinë, nuk e japim Kosovën, nuk i japim fëmijët tanë, nuk lejojmë dhunë ndaj grave, nuk do të heqim dorë nga presidenti, të cilin e kemi zgjedhur të gjithë, Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Daçiq.

Presidenti i Republikës Sërpska, që është njëra nga entitetet e Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik tha nga skena se ka ardhur për të mbështetur Serbinë dhe në fund të fjalës së tij tha: “Rroftë Serbia, rroftë Rusia, rroftë Republika Sërpska”.

SNS-ja e quajti tubimin “Serbia e shpresës”, ndërsa thirrjen për të marrë pjesë në të e bëri presidenti i Serbisë dhe lideri i SNS-së, Aleksandar Vuçiq, përmes deklaratave të tij.


Shtuar 26.05.2023 21:31