Infeksion në frymarrje, zbulohet pse Papa Françesku u shtrua në spital

Papa Françesku u shtrua në spitalin Gemelli në Romë pasditen e së enjtes.

Sipas informacioneve të para nga zyrtari për shtyp i Selisë së Shenjtë, kreu i Kishës Katolike Romake do t’i nënshtrohej një kontrolli të rregullt, i cili ishte planifikuar.

Sipas një burimi nga Vatikani, programi i papës 86-vjeçar, i cili vuan nga dhimbjet kronike të gjurit, u anulua në mënyrë që të vazhdonin ekzaminimet e planifikuara.

Por pavarësisht garancive fillestare të Vatikanit se ishte një kontroll i planifikuar, disa media italiane raportuan se Papa 86-vjeçar kishte probleme me frymëmarrjen dhe u dërgua në spital me ambulancë.

Papa Françesku vuan nga një infeksion i frymëmarrjes dhe do t’i duhet të kalojë “disa ditë” në një spital në Romë, tha Vatikani pak më vonë.

Sipas informacioneve të fundit do të nevojiten “disa ditë trajtim të duhur mjekësor spitalor”, ndërsa sqarohet se Papa nuk është i sëmurë me koronavirus. Në të njëjtin përditësim shtohet se “Papa Françesku është prekur nga mesazhet e shumta që ka marrë”.

Sipas një personi me njohuri të drejtpërdrejta për situatën, stafi më i afërt i papës, përfshirë sigurimin e tij, pritet të qëndrojë gjatë natës në spitalin Gemelli në rast se Papa nuk kthehet në Vatikan. Sipas informacioneve të fundit, të zbuluara nga Vatikani, Papa mund të qëndrojë në spitalin Gemelli në Romë deri të premten.

Në të njëjtën kohë, media të tjera italiane raportojnë se analizat e deritanishme nuk tregojnë ndonjë sëmundje të zemrës. /albeu.com


Shtuar 29.03.2023 22:11