“Jemi para një problemi”, Rama për “eksodin” e mjekëve dhe infermierëve: Pasi diplomohen, ikin shërbejnë në Gjermani

Është zhvilluar sot Kongresi i Shëndetësisë në Pallatin e Kongreseve.

Në këtë kongres të ftuar ishin studentë, ekspertë të mjekësisë ndërsa prezent ishin dhe kryeministri Edi Rama e ministrja Ogerta Manastirliu.

Rama u ndal te fenomeni i ikjes së mjekëve dhe infermierëve jashtë vendit, kryesisht në Gjermani, ndërsa theksoi se tashmë ka ardhur koha që të adresohen problematikat, pasi shteti nuk mbulon dot financimet për sistemin shëndetësor gjerman.

Rama: E dimë se nga vijmë dhe se ku duhet të shkojmë, ndaj jemi të detyruar që të ecim para, sa i përket vendimmarrësve dhe politikbërjes, për furnizimin e këtij kapitali njerëzor. Ky kapital ka nevojë për investim, arsimimin, pagë dinjitoze. Nëse marrim arsimimin, mund të themi se kemi ecur në mënyrë pozitive para. Sot kemi një sistem arsimimi të bluzave të bardha, që e ka marrë vulën e cilësisë nga fakti se të arsimuarit në vendin tonë mirëpriten dhe në vendet e zhvilluara.

Sot jemi para një problemi që duhet ta adresojmë në mënyrë të ndershme. Arsyeja se pse shtetet investojnë për të bërë sa më të lehtë procesin e studimeve, është për të garantuar shëndetin e popullit të tyre. Në kushtet e sotme rezulton e pamundur që shteti shqiptar, taksapaguesi, mundësitë e të cilit nuk janë të pakufizuara, dhe shërbimet nuk vihen në diskutim, të paguajnë 15 nga 16 pjesë të financimit të studimit të një mjeku. Pra, sot studenti i mjekësisë paguan 1/16 e kostos reale.

Këtë shteti e bën duke marrë në konsideratë një sërë faktorësh që s’ka nevojë t’i rendis. Shteti nuk e bën dhe taksapaguesit shqiptarë nuk paguajnë për këtë, që ditën kur mbarojnë studimet dhe marrin diplomën e mjekut, ata që financohen nga ky buxhet dhe kjo sakrificë, të ikin të shërbejnë në Gjermani. Shteti shqiptar nuk financon studimet për sistemin shëndetësor gjerman. Ky është problem që shumë vende e kanë adresuar dhe ka ardhur koha që dhe ne ta adresojmë. Nuk mjafton që të kryesh një shkollë dhe të kesh përmbushur detyrimet e tua në aspektin teorik, por duhet dhe aspekti praktik.

Ai gjithashtu bëri me dije se brenda muajit prill të këtij viti, pagat e mjekëve specialist do të rriten me 50 mijë lekë të reja.

Rama: 335 mjekë janë punësuar në vitin 2022 duke plotësuar nevojat e sistemit, por duke kaluar përmes një kanali punësimi që është transparent dhe i mbështetur te merita. Ne i kemi rritur pagat nga 2013 me 63%, por jemi shumë të vetëdijshëm që kjo nuk mjafton. Ndërkohë që gara bëhet më e ethshme na dikton që ne të shpejtojmë. Jeta është ajo që ndodh kur ne jemi duke bërë plane të tjera. Në prill, jo në 1, por në 30 prill, mjekët specialistë do fillojnë të marrin 50 mijë lekë të reja plus në pagën e tyre./Albeu.com/


Shtuar 6.03.2023 10:08