Sulmi me një të vdekur në Top Channel, reagon AMA: Goditje ndaj demokracisë, autorët të vihen para drejtësisë

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka reaguar pas sulmit mafioz që ndodhi pak pas mesnate në Mëzez të Tiranës, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri kallashnikovi ndaj godinës së televizionit Top Channel, duke vrarë rojën e sigurisë, 60-vjeçarin Pal Kola.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka dënuar ngjarjen kriminale, duke theksuar se “goditja e një mjedisi mediatik është një goditje ndaj demokracisë, ndaj lirisë së fjalës dhe mendimit”.
AMA u bën thirrje organeve ligj zbatuese që autorët të vihen para drejtësisë.

Reagimi i plotë i AMA

Ngjarja e mesnatës së kaluar, kur godina e televizionit Top Channel ishte objekt një sulmi me armë zjarri, me pasojë humbjen e jetës së një punonjësi të sigurisë, po përcillet me shumë shqetësim nga Autoriteti i Mediave Audiovizive.

Goditja e një mjedisi mediatik është një goditje ndaj demokracisë, ndaj lirisë së fjalës dhe mendimit.

AMA shpreh ngushëllimet për familjen e punonjësit që humbi jetën nga ky agresion i papranueshëm dhe qëndron në krah të të gjithë ekipit të televizionit në këto momente të vështira.

AMA kërkon nga institucionet ligjzbatuese që të përparojnë me shpejtësi për ndriçimin sa më pare të rrethanave dhe autorët të vihen para përgjegjësisë ligjore./albeu.com/