Berisha nxjerr prova të reja për manipulimin e votave: Pamjet rrëzojnë përfundimisht zgjedhjet e 14 majit

Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka publikuar fakte të reja me pamje filmike që sipas tij dokumentojnë krimet zgjedhore që Partia Socialiste ka bërë në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Në konferencën e përjavshme me gazetarët teksa publikoi pamjet, Berisha i cili garoi në zgjedhje me koalicionin “Bashkë Fitojmë” me Ilir Metën, tha se pamjet rrëzojnë në mënyrë përfundimtare zgjedhjet e 14 majit.

Më tej ai tha se opozita po punon për të përfunduar hartimin e raportit që do t’i prezantojnë ndërkombëtarëve në lidhje me krimet zgjedhore.

Sali Berisha: Paraqesim fakte dhe dokumente që rrëzojnë në mënyrë përfundimtare zgjedhjet e 14 majit. E them përsëri, që përsëritja e të njëjtës temë nuk është ndonjëherë atraksion për mediat, por kur është një gjë themelore, shmangia e saj përbën një gabim të pafalshëm. . Pikërisht kjo më detyron mua të paraqes për të shumtën herë tek ju, fakte dokumente të cilët demaskojnë dhe rrëzojnë në mënyrë përfundimtare, zgjedhjet e 14 majit si procesi më i shëmtuar, më i pabarabartë, si procesi në të cilin u ushtruan të gjitha format e presionit mbi zgjedhësit shqiptarë, si procesi në të cilin ditën e zgjedhjeve në qendrën e votimit me kaosin e qëllimshëm të krijuar, me pushtimin e tyre nga një lukuni e tërë punonjës administrate që u sollën si polici elektorale, politike, proces zgjedhor nuk ka pasur.
Ne po finalizojmë raportin në të cilin faktojmë të gjitha aspektet e rënda të dhunimit të këtyre zgjedhjeve. Ndaj dhe këtë bisedë me ju do ta filloj me këtë çështje./albeu/com/ 


Shtuar 23.06.2023 12:32