E rëndë në Tiranë, u arrestua për vjedhjen e një biçiklete, vdes në qeli 38-vjeçari, familjarët njoftohen dy ditë më vonë

Renald Tahiri, 38-vjeç ka ndërruar jetë në ambientet e burgut 302 te “Mine Peza” në Tiranë.

Rrethanat e ngjarjes së rëndë, e cila nuk është raportuar zyrtarisht nga autoritetet mbeten të paqarta.

Ai është arrestuar të premten e kaluar për vjedhje, ndërsa familjarët nuk ishin lejuar ta takonin gjatë fundjavës me pretekstin se nuk lejoheshin takimet.

Sipas burimeve jozyrtare, 38-vjeëçari ka ndërruar jetë të shtunën dhe sipas familjarëve ai ka humbur jetën brenda ambienteve të qelisë.

Ndërkohë nga ana tjetër, autoritetet pretendojnë se janë ndjekur të gjitha procedurat standarde përfshirë edhe ofrimin e ndihmës shëndetësore.

Ajo që e shton më shumë misterin e kësaj ngjarjeje të rëndë është fakti që familjarët janë njoftuar dy ditë më pas.

Tahiri ra në pranga për vjedhjen e një biçiklete, teksa njihej në zonën e “Brrakës” ku jetonte si konsumues i narkotikëve. Disa herë ishte përballur me drejtësinë për vepra të tilla, për shkak se në shumicën e rasteve, i kryente për të siguruar para që të blinte drogën.

Trupi u përcoll për në banesën e fundit pas ceremonisë mortore në orën 12:30./Albeu.com/


Shtuar 4.04.2023 13:06