SHIFRAT/ Sa familje do të preken vërtetë nga çmimi i ri i energjisë elektrike pas fashës 800 kWh

“Mbi 96% e abonentëve familjarë konsumojnë nën 800 kilovatorë në muaj dhe në tabelën që mund të shfaqet ne kemi bërë edhe një pasqyrim sesi janë të shpërndarë përqindja e konsumit sipas kilovatorëve për familje. Në ndërkohë, kjo 4% e abonentëve familjarë përbën 19% të volumit të konsumit vendas.”- deklaroi ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku gjatë prezantimit të Paketës së Rezistencës Sociale, nga ku lajmëroi rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Ministrja sqaroi edhe se cili do të ishte çmimi për çdo kilovatorë mbi fashën 800 kwh energji dhe që do të aplikohen që prej muajit tetor.

“Pra, çdo kilovatorë mbi 800 kilovatorë, çmimi që do të aplikohet është 35 lekë për kilovatorë, plus 7 lekë tarifat e transmetimit dhe të shpërndarjes, një total prej 42 lekë.”- sqaroi më tej Balluku duke u kujdesur të mos përfshijë në çmimin e ri 20% e TVSH-së që e çon në fakt çmimin e 1 kwh energji në 50 lekë.

E thënë ndryshe, çdo familje që sot paguan mbi 9120 lekë energji elektrike në muaj (përfshi edhe TVSH-në) do të preket nga rritja e çmimit. Kemi parasysh se fatura më poshtë i përket muajit qershor, ku nevoja për shpenzim të energjisë për ngrohje/freskim është e papërfillshme.

Referuar të dhënave që ka bërë publike Ministria e Energjisë rritja e çmimit prek 4% ose rreth 48 mijë familje, pasi 96% e abonentëve familjarë konsumojnë nën 800 kwh në muaj.

Faktoje ka siguruar të dhënat zyrtare të konsumit të energjisë elektrike për 6-mujorin e parë të vitit.

Konsumi familjar dhe strukturimi i tij sipas familjeve ne Shqiperi, 2022

Shitur klientëve familjarë 6m.I 2022             1.65 TwH

Konsumatorë familjarë gjithsej                     1.1 milionë

Konsumi vjetor sipas të dhënave të ERE për 1.1 milion kontrata me abonentët familjarë për vitin 2021 është 2.95 miliardë KwH, apo 2.950 kwh për kontratë (mesatarisht 230 kwh/muaj). Bazuar në këto të dhëna, të kryqëzuara me të dhëna indirekte nga raportimet në ERE të operatorëve, raportet e përpunuara nga vetë ERE, si dhe të dhëna të publikuara mbi strukturën e konsumit nga INSTAT rezulton se:

  • Rreth 310 mijë abonentë konsumojnë 200 Kwh/muaj (28%);
  • Rreth 470 mijë abonentë konsumojnë deri në 300 KWh/muaj(43%);
  • Rreth 235 mijë abonentë llogaritet të konsumojnë midis 300 – 800 Kwh/muaj (21%);
  • Rreth 85 mijë abonente llogaritet të konsumojnë mbi 800 Kwh/muaj (8%).

Burimi ( ERE, INSTAT,STATISTA)

Por një burim pranë Entit Rregullator të Energjisë në kushtet e anonimatit sqaron për Faktoje se shifra e të prekurve pritet të jetë shumë më e lartë në muajt e pikut; dhjetor, janar, shkurt dhe gusht. I njëjti burim shton se gjatë këtyre muajve konsumi i energjisë nga familjarët rritet ndjeshëm ndaj dhe shtrenjtimi i çmimit nga 9.5 lekë në 42 lekë (pa TVSH) do të prekë deri në 18 % të abonentëve familjarë.

Profili i konsumit të energjisë elektrike, raporti i Entit Rregullator tw Energjisw 2021

Eksperti për ekonominë Klodian Muço thotë se numri i familjeve që do të preken nga rritja e çmimit të energjisë është më i lartë nga sa deklarohet.

“Autoritetet thonë që janë vetëm 4% e familjeve, por problemi është se çfarë ndodh në periudhën e dimrit. Qeveria ka marrë një mesatare të viteve dhe muajve por është mesatarja e konsumit të dimrit ajo që bën diferencën. Ndaj, në këtë kuptim, përqindja e familjeve të prekura del më shumë se 4%.” – thekson Muço për Faktoje.

Edhe ish ministri i Ekonomisë, Zef Preçi sjell të njëjtin argument që rrëzon pretendimin e qeverisë mbi numrin e familjeve që do të paguajnë më shtrenjtë energjinë nga muaji tetor.

“Mesatarja nuk tregon gjë, madje mesatarja e fsheh realitetin nëse nuk e kupton se si është i shpërndarë konsumi sipas fashave në muajt e pikut. Shifra 4% është abuzive, nuk ka se si të jetë kaq pak. Tek realiteti të çon vetëm publikimi i të dhënave të konsumit të familjeve çdo muaj sipas fashave, duke përfshirë edhe faturimet zero. Dhe unë mendoj që numri është më i lartë nga sa thuhet, minimalisht preken ¼ e familjeve shqiptare.”- argumenton Preçi për Faktoje.

Në mënyrë që faturat e ‘kripura’ të energjisë t’i shkojnë një numri më të vogël familjesh, eksperti i energjisë Lorenc Gordani thotë se shtrenjtimi i faturës duhet të niste nga konsumi 900 kwh në muaj.

“Nëse çmimi rreth 50 lekë për çdo kWh mbi 800 është apo jo i drejtë do e vendosë ERE, duke parë kostot që do i paraqisin kompanitë. Nëse më pyesin mua lidhur me GDP, duhet të paktën 900 kWh. Mbetet që unë s’jam dakord që për atë pjesë që është mbi nevojat normale të vazhdojë të hiqet nga buxheti d.m.th. taksat që kush harxhon më shumë të vazhdojë ta harxhojë. E diskutueshme është përshembull të rritet për të gjithë, pasi nëse rritet për të gjithë do të thotë që rritet më pak (dmth ndikon më pak), sepse ulet pjesa e importit që do shkojë të rendojë vetëm mbi ata 800 kWh. Po për situatën që jemi zgjidhje të tjera s’ka: ose buxhet, ose rritje tarifash, ose mungesë energjie.”- thekson Gordani.

Ndërsa ish-drejtori juridik i Entit Rregullator të Energjisë, Edurard Elezi, përtej këtij diskutimi, thotë se deklaratat e qeverisë janë të paligjshme si dhe cënojnë pavarësinë e Entit Rregullator.

“Qeveria merr veprime për furnizimin me energji, mbështet kompanitë e veta me para, por nuk cakton tarifa. Këtë të fundit e cakton Enti Rregullator i Energjisë. Kompanitë publike duhet të aplikojnë tek ERE, këto aplikime bëhen publike. Pastaj Enti Rregullator i shqyrton të gjitha kostot që kanë kompanitë, planet e tyre dhe miratohet një tarifë fikse nga ky ent i pavarurur. Me ligj kështu është. – thotë Elezi për Faktoje duke shtuar se të dhënat për konsumin e familjeve duhet të ishin bërë publike nga ERE.

Por kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti sqaron për Faktoje se vendimi i qeverisë vjen në kushtet e një situatë të jashtëzakonshme dhe sipas tij është brenda kornizave ligjore.

“Do të mblidhet bordi dhe do të marrë një vendim vetëm për fashën mbi 800kwh energji. Pastaj mbi 800 kwh, natyrisht atë që ka rekomanduar edhe qeveria. Duhet të kuptojmë që jemi në kushtet e një situate të jashtëzakonshme ku predominojnë tashmë edhe vendimet e qeverisë dhe propozimet e saj. Brenda ligjit është dhe kjo. Kur shpallet një situatë e jashtëzakonshme qeveria merr detyrimin dhe atributin për të vendosur disa gjëra. Ne kemi qënë pjesëtarë të diskutimeve.”- thekson Ahmeti ndërkohë që ende nuk ka marrë zyrtarisht nga kompanitë kërkesat për tarifat e reja.

Referuar proceduarave të mëparshme, Furnizuesi i Shërbimit Universal, që është një nga kompanitë e OSHEE-së, do të dorëzojë një aplikim pranë ERE-s bashkë duke listuar arsyet e shtrenjtimit të energjisë së bashku me treguesit ekonomikë. Pas kësaj, Bordi i Entit Rregullator mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e OSHEE-së për të dalë me një vendim për çmimin, që mesa duket këtë herë është i vendosur ende pa kaluar këto hallka.

Nisur nga verifikimi i kryer, informacioni i grumbulluar dhe analiza ekspertëve, vendosëm që deklaratën e ministres Balluku se 4 % e popullësisë do të preken nga vendosja e fashës së energjisë, ta kategorizojmë të pavërtetë./abcnews.al/