Natë e tensionuar mes Ukrainës dhe Rusisë, sulme me dron në Kiev e Odesa, mbyllen 3 aeroporte në Moskë

Të paktën dy persona u vranë dhe dy të tjerë u plagosën pas sulmeve me raketa ruse në Kiev herët të mërkurën, tha kryebashkiaku Vitaliy Klitschko.

“Shërbimet e zjarrfikësve dhe të shpëtimit vazhdojnë të punojnë në vendet e rrënojave. Në veçanti, në rrethin Darnitsky dhe në katër zona në lagjen Shevchenkivskiy të kryeqytetit, “tha Klitschko.

Ndërkohë, transmetuesi publik ukrainas Suspilne raportoi shpërthime në qytetin jugor të Odesa-s herët të mërkurën pasi kreu i administratës së tij ushtarake rajonale, Oleh Kiper, paralajmëroi për sulme me raketa ruse.

“Terroristët rusë sulmojnë rajonin e Odesës me raketa”, tha ai, duke u kërkuar banorëve të qëndrojnë në strehë.

Rusia kreu një sulm “masiv” në kryeqytetin e Ukrainës Kiev të martën mbrëma duke përdorur drone dhe raketa, tha të mërkurën Serhii Popko, kreu i administratës ushtarake të qytetit të Kievit.

“Kiev nuk ka përjetuar një sulm kaq të fuqishëm që nga pranvera”, shkroi Popko në Telegram.

Popko tha se disa grupe dronësh udhëtuan drejt Kievit “nga drejtime të ndryshme” dhe më vonë raketat u nisën drejt qytetit nga bombarduesit strategjikë Tu-95MS.

Forcat e mbrojtjes ajrore shkatërruan më shumë se 20 “objektiva armike”, shtoi ai.

Nga ana tjetër edhe në 7 rajone në Rusi ka pasur sulme me dronë, raportojnë autoritete ruse. Si pasojë e sulmeve janë mbyllur përkohësisht tre aeroporte; Domodedovo, Vnukovo dhe Sheremetyevo.

Kjo u raportua nga shërbimet ruse të transportit ajror të cituara nga agjencia Tass, pasi Ministria e Mbrojtjes e Moskës njoftoi rrëzimin e një droni ushtarak mbi rajonin e kryeqytetit rus.

Rusia thotë se ka shkatërruar ndërkohë katër anije ushtarake ukrainase në Detin e Zi.

/Albeu.com.


Shtuar 30.08.2023 08:19