Çfarë duhet bërë nëse Ukraina fiton luftën dhe Putini rrëzohet nga pushteti   

Nga James Fay “19 Forty Five”

Përktheu: Alket Goce-Albeu.com 

Po sikur kundërsulmi aktual i Ukrainës të çojë në fitoren e luftës? Po sikur Rusia ta pranojë në fund se lufta është futur në një ngërç, ose se për të është e humbur, dhe ta largojë nga pushteti Vladimir Putinin? Kjo mund të sillte një mundësi të rrallë për të korrigjuar linjat e shtrembëruara kufitare të Evropës, dhe për të arritur vendosjen e një paqeje dhjetëvjeçare midis Rusisë dhe Perëndimit.

Por që të ndodhë kjo, Perëndimi duhet të vazhdojë të ushtrojë presion ndaj Rusisë me sanksionet, dhe t’i rezistojë tundimit për të qenë serish tolerant. Moska e kupton se tek e fundit ka në dispozicion vetëm 2 opsione: të ringjallë lidhjet e saj me Evropën ose të lidhë një aleancë të ngushtë me Kinës. Kjo e fundit do të ishte një makth strategjik, ushtarak, kulturor dhe fetar. Ndërsa e para duhet të kërkojë lëshime të rëndësishme.

Ja cilat janë çështjet më thelbësore që duhen adresuar:

Së pari, është rindërtimi i Ukrainës. Qeveria ruse, bizneset dhe oligarkët duhet të paguajnë një dëmshpërblim prej qindra miliarda dollarësh për të riparuar dëmet e mëdha në infrastrukturë të shkaktuara nga pushtimi.

Së dyti, vendosja e kufizimeve ushtarake. Rusia duhet të urdhërohet me traktat që për 50 vite të mos mbajë ndonjë ushtri, apo anije detare ushtarake, dron apo avion ushtarak në Detin Baltik, Detin e Zi apo Detin Azov.

Po ashtu ajo duhet të tërheqë të gjitha njësitë dhe armët e saj ushtarake dhe paraushtarake brenda të paktën 90 km nga kufijtë e saj perëndimorë, nga Finlanda në veri, deri në Gjeorgji në jug, përfshirë kufirin me Bjellorusinë. Pasi Rusia të ketë përfunduar këto tërheqje, edhe NATO duhet të fillojë një tërheqje të ngjashme të forcave të saj larg kufirit rus.

Së treti, duhen gjykuar krimet e luftës. Rusia duhet të përballet me ndëshkime për mizoritë e saj gjatë kohës së luftës. Ajo duhet të dorëzojë tek gjykatat ukrainase çdo ushtar ose civil rus të përmendur në një aktakuzë për krime lufte, por edhe oficerët komandues të çdo njësie ushtarake ruse të identifikuar si autorë të një krimi lufte.

E njëjta gjë vlen edhe për mercenarët. Ata kanë të drejta të kufizuara sipas ligjit ndërkombëtar, dhe mund të ndiqen penalisht për veprimet e tyre në fushën e betejës. Dorëzimi i mercenarëve në Ukrainë për gjykim dhe ndëshkim mund të pengojë shërbimin e mercenarëve në konfliktet e ardhshme.

Së katërti, çështja e armëve bërthamore. Përmes një traktati të nënshkruar me NATO-n, Rusia duhet të pranojë të reduktojë menjëherë armët e saj bërthamore në një numër dhe cilësi jo më të rëndësishme se ato që zotërojnë SHBA-ja, dhe të pranojë inspektimet nga NATO për të garantuar respektimin e marrëveshjes. Po përmes një traktati, Moska duhet të tërheqë zyrtarisht kërcënimet e saj për përdorimin e armëve bërthamore taktike në Evropë dhe të zotohet të mos përdorë armët bërthamore si politikën e saj të përhershme.

Së pesti, është problemi i hakerimit. Rusia duhet të zotohet se do t’i japë fund sulmeve kibernetike kundër çdo vendi të NATO-s, dhe se do të godasë të gjitha grupet publike dhe private të hakerave që sulmojnë perëndimin.

Së gjashti, për të siguruar që popullata ruse ta kuptojë peshën e krimeve të liderëve të saj dhe arsyet e ndëshkimeve, qeveria ruse duhet të kërkojë nga gazetat, revistat, blogjet qeveritare dhe mediatike, stacionet televizive dhe radiofonike, që për 2 vite me radhë të bëjnë publike, dhe pa justifikime, dëmet e agresionit rus dhe krimet e luftës gjatë 75 viteve të fundit.

Tekstet shkollore ruse duhet të përfshijnë historinë e saktë të agresionit rus dhe krimeve të luftës në dekadat e fundit. Këto masa janë të ngjashme me ato që mori Gjermania për të shlyer fajin për agresionin e saj në Luftën e Dytë Botërore.

Së shtati, ndërsa ruan marrëdhënie të barabarta diplomatike dhe tregtare me Kinën, Rusia duhet të tërhiqet nga Traktati i Miqësisë Kinë-Rusi i vitit 2001, që vendosi marrëdhënie të ngushta ushtarake, diplomatike dhe ekonomike midis dy vendeve.

Së fundmi duhet të adresohet çështja e territoreve të pushtuara. Për dekada me radhë, Moska ka vjedhur territore nga vendet fqinje. Rusia aneksoi në vitin 1940 pjesë të rajonit të Karelia dhe Salla dhe të gjithë rajonit Petsamo nga Finlanda, Ishujt Kurilë të Jugut (territoret Veriore) nga Japonia në vitin 1945, Transnistrian nga Moldavia në vitin 1992, Abkhazisë dhe Osetia e Jugut nga Gjeorgjia në vitin 2008, dhe Krimenë dhe pjesë të Ukrainës Lindore në vitin 2014.

Të gjitha këto territore duhet t’u rikthehen pronarëve të tyre të ligjshëm. Kaliningradi, i marrë nga Gjermania në vitin 1945, i përket gjeografikisht Polonisë. Po ashtu, Rusia duhet të tërheqë forcat e saj ushtarake, policore, civile dhe diplomatike nga Bjellorusia, dhe të zotohet se nuk do të ndërhyjë në zgjedhjet apo politikën e këtij vendi.

Pasi të arrihet një marrëveshje me vendet e NATO-s, secili do të pajtohej për një traktat paqeje dhe do të lehtësonte me kujdes sanksionet ndaj Rusisë gjatë 10 apo më shumë viteve. Një lehtësim i tillë, mund të përfshijë një rritje graduale të shërbimeve ajrore midis Rusisë dhe Perëndimit, një rritje të matur të numri të diplomatëve rusë që lejohen në Perëndim,

një rritje të emigrimit të ligjshëm të rusëve në Perëndim, zgjerim në tregtinë e mallrave jo-strategjike, pakësim të kufizimeve financiare, rifillimin e tregtimit të pjesëve të avionëve dhe marrëveshjeve të shërbimit me prodhuesit perëndimorë të avionëve.

Gjatë zbatimit të këtyre masave ndëshkuese dhe restauruese, NATO dhe vendet perëndimore jo-anëtare duhet të diskutojnë hapat afatgjatë me të cilët Rusia mund të integrohet gradualisht me institucionet ekonomike, politike, kulturore dhe fetare perëndimore.

Kjo përpjekje mund të udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, që luajti një rol të dobishëm në integrimin e shoqërive ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore. Qëllimi i këtyre masave integruese do të ishte një Rusi demokratike me një treg të lirë, dhe krenare për statusin e saj të sapo-gjetur si një anëtare udhëheqëse e Perëndimit të rikonfiguruar./albeu.com 

 

 

 


Shtuar 5.11.2022 15:03