Shpërthimi i HEC-it në Ukrainë, 24 fshatra nën pushtetin e ujit

Evakuimi masiv i banorëve vazhdon sot në Ukrainën jugore pas shkatërrimit të pjesshëm të Hidrocentralit Kahovka , i cili shkaktoi përmbytje në zonat bregdetare përgjatë lumit Dnieper.
Kievi akuzon Moskën për shpërthimin e HEC-it.

“Situata më e vështirë mbizotëron në zonën e Korabelnit në qytetin Kherson . Deri më tani niveli i ujit ka arritur në 3.5 metra, më shumë se 1000 shtëpi janë përmbytur”, tha nënkryetari i shërbimeve presidenciale të Ukrainës, Oleksiy Kuleba.

Evakuimet do të vazhdojnë edhe sot dhe në ditët në vijim me autobusë dhe trena, shtoi ai. “Më shumë se 40,000 njerëz janë në zonat e rrezikuara nga përmbytjet”, tha dje Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin.

“Në këtë fazë, 24 komunitete në Ukrainë janë përmbytur ,” tha Ministri i Brendshëm ukrainas Igor Klimenko .

Autoritetet e instaluara nga rusët në zonat që ata kanë pushtuar raportuan nga ana e tyre se filluan evakuimin e popullsisë së tre komuniteteve, duke mobilizuar rreth pesëdhjetë autobusë.
Vladimir Leontiev , kryetari pro-rus i Nova Kahovka, ku ndodhet diga hidroelektrike, tha se qyteti i tij u përmbyt dhe 900 banorë u evakuuan me shpejtësi.

Në Gjenevë, Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) paralajmëroi se shkatërrimi i digës mund të shkaktojë një fatkeqësi mjedisore dhe të ketë një “ndikim të tmerrshëm në qindra mijëra njerëz në të dy anët e vijës së frontit”./albeu.com/


Shtuar 7.06.2023 08:35

Tags: