Ndihma në emër të kandidatit të PS-së në Has për blerje votash, reagon Policia: Furgoni i ngarkuar me rezervat e shtetit, gjetëm 21 pako

Policia e Hasit ka reaguar pas denoncimit të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Miftar Dauti, i cili bëri sot me dije se djali i kandidatit të PS -së në Has, Halit Mula, është filmuar nga një banor i zonës duke ngarkuar disa kuti në një makinë gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme.
Sipas denoncimit të Dautit, kutitë ishin me ushqime, të cilat do ishpërndaheshin banorëve të zonës në këmbim të votës për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Në lidhje me rastin Policia njofton se pas kallëzimit të Dautit kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kryer kontrolle të imtësishme në furgon, ku kanë gjetur 21 pako me mbishkrimin “Rezerva Materiale Shtetërore”, të cilat ishin ngarkuar në magazinën e bashkisë.

Për pasojë policia ka pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni mbi pakot e gjetura në furgon, shtetasit B. M., E. M (vëllezër) dhe Sh. M. (me detyrë magazinier i bashkisë).

Njoftimi i policisë 

Më datë 17.04.2023, rreth orës 21:00, një grup personash kanë bllokuar në qendër të qytetit të Hasit, një automjet furgon me targa AB 333 EC, me drejtues shtetasin B. M., me pretendimin se ishte i ngarkuar me pako me ndihma të cilat dyshonin se do të shpërndaheshin për llogari të një kandidati të një subjekti politik, dhe për këtë rast kanë njoftuar Komisariatin e Policisë Has dhe është vënë në dijeni Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has, pasi kanë marrë kallëzim nga shtetasi M. D. (njëri nga shtetasit që kishin bllokuar furgonin në qendër të qytetit), mbi pretendimin e tij, kanë njoftuar menjëherë Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, me qëllim marrjen e autorizimit për ushtrimin e kontrollit në këtë furgon.

Pas marrjes së autorizimit nga Prokuroria, shërbimet e Komisariatit të Policisë Has kanë shoqëruar menjëherë në ambientet e Komisariatit të Policisë, furgonin me targë AB 333 EC dhe në prezencë të oficerëve të Policisë Gjyqësore, drejtuesit të furgonit dhe palës kallëzuese, është ushtruar kontroll në brendësi të furgonit, ku janë konstatuar 21 pako me mbishkrimin “Rezerva Materiale Shtetërore”, të cilat ishin ngarkuar në magazinën e bashkisë.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, janë pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni mbi pakot e gjetura në furgon, shtetasit B. M., E. M (vëllezër) dhe Sh. M. (me detyrë magazinier i bashkisë).

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, vijojnë veprimet procedurale për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti. Materialet e para procedurale, me kërkesë të Prokurorisë, i kanë kaluar për vlerësim këtij institucioni./albeu.com/