“Ne njihemi, jemi…”, Alimehmeti flet për dy kandidatët e tjerë në Primaret e PD, ja vendimmarrja e parë nëse fiton Tiranën

Kandidati për bashkinë e Tiranës në Primaret e PD, mjeku i njohur Ilir Alimehmeti ka folur në “Frontline” në News24 edhe për dy ‘rivalët’ e tij në këtë garë, Belind Këlliçi dhe Gert Bogdani.

Ai tha se janë miq dhe se nuk e konsideron si garë, por tre oferta për anëtarët dhe simpatizantët e PD.

“Të tre jemi shokë e miq, njihemi. Ju përmendët termin garë, unë e konsideroj këtë si ofertë. Aty keni tre oferta, mund të shtohen. Janë tre oferta për anëtarët demokratë, për simpatizantët demokratë, për votuesit, kë ata pëlqejnë më shumë, kë ata mendojnë që të përbashkuar mund të fitojë…se në fund të përbashkuar do shkojmë për 14 majin. Votuesit vendosin. Unë kam një bindje të fortë te votuesi dhe vendimmarrja e tij”, tha Alimehmeti.

I pyetur nga gazetarja Marsela Karapanço për një opinion për kryebashkiakun Erion Veliaj, ai tha se është sëmundja kryesore e këtij qyteti.

“Besoj se këtë do ta vendosë partia në fjalë. Ata nuk do bëjnë një proces primaresh, i druhen votuesve. Është sëmundja kryesore e këtij qyteti, e cila duhet adresuar e para. Nëse do jetë kandidat do adresohet më 14 maj 2023, në mënyrë shumë të qartë dhe të përbashkuar”, tha Alimehmeti.

Ndërsa sa i përket vendimmarrjes së parë që do të merrte nëse fitonte Tiranën ai tha se do të ishte hapja e dyerve dhe ftesa për organet e auditimit.

“Hapja e dyerve, ftesa e organeve të auditimit, të marrin ecurinë… Unë nuk jam as hetues, as gjykues, por duhet të shkojnë institucionet përkatëse të bëjnë punën e tyre.
Urdhra politikë kushdo i merr nga votuesi dhe popullata e vetë. Për çdo situatë që bie ndesh me votuesin, pritshmëritë e tyre, në këto raste do iu kërkohet mendimi qytetarëve në formatin që është me ligj, por nuk është zbatuar, referendumi popullor”, tha ai.

Alimehmeti bëri sërish apel për t’iu bashkuar protestës së 12 nëntorit, për një nga arsyet kryesore shpopullimi.
“Sëmundja më e madhe që ne kemi është shpopullimi i Shqipërisë i qëllimshëm, se kjo nuk është rastësi. Shpopullimi ndodh përmes varfërisë, zhvatjes, pamundësisë për të marrë një arsim më të mirë, lloje e soje marifetesh. Në qoftë se nuk mund të bëjmë gjë për të afërmit tanë, vëllezërit e motrat tona, ne nuk i duhemi as vetes sonë”, tha ai.