Përmbytjet katastrofike në Brazil, të paktën 54 të vdekur, Papa Françesku lutet për jetët e humbura

Rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet që goditën Brazilin juglindor kanë vrarë të paktën 54 persona, sipas shifrave të fundit zyrtare të vdekjeve të publikuara nga autoritetet të premten.

Kreu i Kishës Katolike, Papa Françesku, është shprehur se është duke u lutur për jetët e humbura.

“Unë ju dërgoj lutjet e mia, Zoti ju bekoftë,” tha Papa në në një video të publikuar në faqet e mediave sociale nga Vatican Neës, agjencia zyrtare e lajmeve e kishës katolike romake.

Më shumë se 680 mm shi ranë në 24 orë në fund të javës së kaluar në San Sebastião, një vend bregdetar 200 km nga Sao Paulo, me fjalë të tjera ka rënë shi me intensitet sa dyfishi i mesatares mujore, shkruan albeu.com.

“Deri më tani kemi konfirmuar 54 vdekje”, njoftuan shërbimet e guvernatorit të shtetit të São Paulo, duke specifikuar se deri më tani janë identifikuar “16 gra, 15 burra dhe 15 fëmijë”.

Numri i mëparshëm zyrtar, i cili u publikua të enjten mbrëma, ishte 50 të vdekur.

Autoritetet braziliane vlerësojnë se rreth 30 persona janë ende të zhdukur dhe kërkimet janë duke vazhduar në rrethet më të goditura.

Pothuajse 4000 njerëz u zhvendosën.

9.5 milionë brazilianë jetojnë në zona të ekspozuara ndaj rrezikut të rrëshqitjeve të dheut ose përmbytjeve, shumë prej tyre në lagje të varfëra, të cilave u mungon infrastruktura bazë si kanalizimet./albeu.com/