QË MEDIA ONLINE T’I JAPË PAK FRYMË DEMOKRACISË
Albeu.com
Sot në një minutë shkarkohen 13 mijë aplikime për “Iphone”, shkruhen 100 mijë mesazhe në “Twitter”, përditësohen 700 mijë statuse në “Facebook” dhe dërgohen 170 milionë e-maile. Le të përballemi me realitetin. Komunikimi ka ndryshuar rrënjësisht. Gazetaria ka ndërruar kostumin pavarësisht çorientimeve normale të dikujt që është mësuar me të vjetrën.

Në mëngjesin rutinë para do vitesh vinte blerja e një të përditshmeje, mandej leximi duke hurbur filxhanin e kafesë. Sa hap e mbyll sytë, e kemi flakur tej gazetën dhe po lexojmë në iPad në shtratin e ngrohtë. Drejt kësaj po shkojmë me yrysh dhe është vetëm çështje kohe para se të shohim gazetat dhe revistat të mos printohen më (shembull mund të sjellim gazetën Express në Prishtinë, e cila tanimë është vetëm në versionin e saj online).

Ndaj, kur zura të shkruaj këtë sprovë modeste, përpos përgëzimeve që meriton çelja e një dritareje të re informative, më rrihte si çekan në kokë fakti sesa sfidë e vështirë për t’u fituar është ajo e domenit online. Në këtë pikë, është me vlerë të sjellim në kujtesë disa çështje të prehta të lajmit online shqiptar.

Them shqiptar, pasi përpos problemeve të përbashkëta me mediat simotra online kudo qofshin ato, Shqipëria ka disa specifika të tjera. Teksa kolegët tanë fokusohen në ndërtimin modern të webfaqes, një model biznesi për ta mbajtur atë gjallë e të pavarur, anën përmbajtësore, target grupin të cilit i drejtohet, e sakrifica të tjera që bota e medias i ka me tepri; në Shqipëri duhet të përqëndrohemi në sfida krejt të tjera nga simotrat e portaleve online.

Rëndësia jetike e komenteve dhe moderimi i tyre
Online ka kamikazë të palodhur që në komentet e tyre hedhin baltë, fyejnë e madje kërcënojnë me një gjuhë tërësisht të turpshme (shembull i kësaj janë profilet e udhëqësve tanë në mediat sociale, ku ka rioshë që merren posaçërisht me pastrimin e komenteve negative). Në media është në nderin e moderatorit që këto komente të mos botohen. Është gjithaq e rëndësishme që komentet të botohen, edhe kur autori merr kritika e shpotitet rëndë, ashpër e pa shkak, gjithmonë duke mos neglizhuar aspak fyerjet e fjalorin banal. Nuk duhet toleruar as ajo që ndodh rëndom në media: komentet dalin me vonesë. Duhen orë të tëra për një koment, (dhe sot në një botë me plot ngjarje/lajme) kjo bën që faqes t’i humbë aktualiteti . Por nuk kemi staf. Si i bëhet? Edhe në faqe si Peshkupauje, Bleta Shqiptare, ku punohet vullnetarisht, zgjidhja gjithmonë mund të gjendet. Moderatorë komuniteti, studentë etj?

Përditësim ose...dështim
Përditësimi i webfaqes duhet bërë vazhdimisht. Një opinion/editorial nuk duhet të ngelet assesi për ditë të tëra. Mundësitë janë, që edhe kur analistët e faqes të mos shkruajnë, të merret një shkrim nga një tjetër medium, pasi e vjetra në këtë botë që ecën shumë shpejt përkthehet e “vdekur”. Një faqe-agregator artikujsh/oped-esh, sigurisht që e ka në dorë së çfarë të botojë, por pa harruar prerogativin final që duhet të mbetet cilësia e artikullit/analizës që publikohet. Shumë shkarravisin, pak shkruajnë.

Zot na ruaj nga facebook-u dhe twitter-i i ish-it
X e Y, ish-drejtori, ish-deputeti, në facebook e twitter, jo vetëm që ka raste që nuk përbejnë lajm, por janë një banalitet total (kujdes jo gjithmonë). Disa individë të pluhurosur të politikës nuk duhen tërhequr me zor dhe vënë nën hundët tona, por duhen lënë në harresën e tyre. I publikojnë mediat e tjera? Le ta bëjnë, një media e përgjegjshme duhet t’i lërë të kridhen në vetminë e tyre. Si ish-drejtues i një media online, por edhe si lexues i thjeshtë mund të them se lajmet e facebook-ut të vrasin sytë, estetikën dhe logjikën. Nëse filan politikan, ujk i vjetër, i korruptuar bën meaculpa me një këmishë me qime ujku a futet në një manastir, ehhh, atëherë le të jepen dy rreshta. Çdo gjë tjetër është e tepërt. Për këtë soj njeriu heshtja dhe injorimi është dënimi më i madh. Duke i mbajtur me lajme, gazetat po i mbajnë gjallë. Kemi 140 deputetë, 20 ministra (sa Rusia?!) dhe gati 1000 ish-ër, ne 23 vjet tranzicion; çdo fjalë/ide e tyre është lajm? Sa “xhevahire” keni në median shqiptare nga facebook-u i këtyre vipave?

“Ai është ndërkombëtar!” Po pastaj?
Çdo eurodeputet, personalitet i huaj, që vjen në Shqipëri dhe flet (njerëzit flasin, kjo na dallon nga kafsha), duhet pasqyruar patjetër në media? Duhet servirur patjetër në stilin “e tha edhe aksh ambasador. Kaq e pat kryeministri/presidenti”? Ministër pas ministri të huaj, ambasador pas ambasadori, a nuk jemi të lodhur, lexuesit dhe media bashkë? Edituar apo jo, duhen ca kritere për konsumim. Nuk është vetëm çështje dekori dhe stili, por edhe substance. Kushdo mund të shkruajë dhe të flasë, por jo çdokush mund t’u shkruajë dhe flasë të gjithëve. Kjo është çështje standardesh.

Ndiq teknologjinë
Web-i duhet shoqëruar tok me gjithë të rejat më të fundit teknologjike. Një buton rekomandimi për shkrimin, por edhe për komentet, do t’i shtynte shumë shkruesit dhe komentuesit të mendonin pak më gjerë. Lexuesit në web duhet t’i jepet mundësia të jetë sa më “user profile” të jetë e mundur, me një “nickname” të tijin, me një foto/ikonë, çka do të sjellë edhe vazhdimësi në referim. Ka ndryshim kur lexon komentet e anonimit, që ështe një ndër të shumtët, dhe kur lexon e i përgjigjesh komentuesit me emrin Ilir, të cilin e sheh shpesh, ja kupton idetë dhe ja njeh mendimet. Kjo do të sillte dhe një frenim në shprehje e qartësi në debat, dhe sigurisht dhe më tepër rehati për moderatorin. Të thuash ç’të duash pa u shfaqur është privilegji i web-it, por edhe mallkimi i tij.

Përdor median sociale
Të ha kohë, por ja vlen. Sa më shumë “agresiv” të jesh në punën me mediat sociale, aq më shumë do të ketë rritje në web. Në të kundërt shifrat do të bjenë ndjeshëm. Tani gjithnjë e më pak lexues trokasin në derën e parë (klikojnë në web direkt), ata kanë filluar të hynë nga dera e pasme … mediat sociale.

Edhe orteku më i madh, përbëhet nga grimca të vogla
Ngrijeni zërin për gjërat e vogla, pikërisht aty ku atyre nuk u shkon mendja. Se (ju, ne dhe ata) u mbytëm tek madhështorja, mitingjet dhe intervistat. Ulërisni për vogëlsira si “kush e preu biletën e avionit”, “kush e paguan faturën e drekës e të hotelit”, “ku dalin paratë për studimet në Paris për të birin/bijën”, “përse pas orës 5 shëtit me makinën shtetërore”, “sa/kush e paguan karburantin” etj. Do mendohen, do ju qeshin në fillim, por pastaj do të thyhen… do të bëhen të kujdesshëm e do të fillojnë ta shtrëngojnë gradualisht rripin. Është pak e vështirë të zësh mat menjëherë 10 milionë (jo gjithmonë në Shqipëri); filloni me 1000 lekë të reja.

Gati për të punuar fort, bërë sakrifica e për të mos u dorëzuar?
E konsideron dështimin? Nuk e duron dot presionin? Atëherë lere fare e mos u merr me këtë punë. Një media duhet të ketë dhe një strategji dalje, por asnjëherë pa bërë maksimumin për faqen e sapondërtuar. Fokusohu te puna e vazhdueshme dhe gjenerimi i ideve të reja. Durimi ndaj vështirësive, presioneve shpërblehet.

Interesi publik mbi të gjitha
Mëshojni publikes. Shërbejini interesit publik duke ua kujtuar zyrtarëve përkohshmërinë e kolltukut, ditë për ditë – ditë pas dite. Kur ua shemb këtë tavan dhe u heq tapinë (që kujtojnë se e kanë) do t’i zbresësh me këmbë në tokë. Shumë kanë shkruar e po shkruajnë për tranzicionin si fenomen; sa zgjat, kur do ikë, sa po vuajmë, e përse nuk po shkon? Përgjigjia duket të jetë e thjeshtë, dhembshurisht e thjeshtë: Atëherë kur gazetarët ta gozhdojnë X, Y & Co me një pyetje të pandryshuar:

- Ishit në Shkodër për mbledhje partiake, përse shkuat i shoqëruar me stafin e ministrisë/bashkisë/drejtorisë?!

- Të pamë në dasëm/mort në orën Vlorë me makinën e shtetit, në ditën e punës së shtetit, e paguar nga taksapaguesit. Kur do t’i ripaguash këto shpenzime?

Pra, thjeshtëzojini gjërat. Ndiqni paranë (“follow the money”; mos iu shqitni as 50 lekëshit të çuar dëm nga zyrtarët). Vetëm atëherë media do të ketë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për të vënë përposhtë tranzicionin dhe do t’i ketë dhënë pak frymë demokracisë së brishtë shqiptare.
Shtuar më 08/02/2014, ora 15:25
Tage:

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori