Më afër Brazili sesa Brukseli
Albeu.com
I trishtë pa masë është fakti se ndeshja (termi më i duhur do të ishte përleshja) B-R-M më 23 qershor po eklipson edhe vetë kombëtaren e futbollit që pas një jave ka një ndeshje të rëndësishme për eleminatoret e Botërorit Brazil 2014. Dikur jetonim me ethet e një sfide të tillë që një muaj përpara, tani me mund gjen ndonjë lajm në gazeta… Dhe më afër duket Brazili me kombëtaren tonë sesa Brukseli me politikanët tanë.

Afër mendsh! Kulti i politikanit mbi të gjitha, fushata mbi të gjitha! Arti në plan të dytë, kultura në plan të dytë, sporti në plan të dytë, gjithçka tjetër në plan të dytë. Sikur të mos mjaftonte disa muaj fushatë në median televizive, atë të shkruar, atë online, na kanë zaptuar edhe median sociale, atë pak twitter e pak facebook që kishim për ndonjë batutë miqsh. Aty ku ndjen erë vote, aty turret partia!

Nuk kapet telekomanda me dorë. Në televizionin publik lideri është shndërruar në folës. Nuk ka lajm të mos jetë i pranishëm. Në televizionet e tjera kombëtare private duket shumë qartë si janë rreshtuar batalionet e gazetarëve, operatorëve, grimierëve. Gjithë makineria në garë për fushatën. Na kanë indoktrinuar aq keq sa njërëzia po e trajton këtë çështje si jetë a vdekje.

Në median online, nëse jeton jashtë Shqipërie, vetëm për hir të fushatës do të prezantohesh me dy atdhetë e tu, ashtu siç nuk i ke njohur kurrë. Njëri i bukur sa më s’ka, që zhvillohet me hapa galopantë, që ndjek këmba këmbës lokomotivën e Europës Gjermaninë (ca thonë qe e ka kaluar), por edhe Kinën; tjetri syresh një Afganistan i dytë, madje më keq se aq, jo një shtet i xhunglës, por një xhungël shtet. Të mesme, aq më pak të artë, nuk ka. Ishte thjesht një shkarje e Aristotelit!

Fushatës së ndarjes me thikë të dy Shqipërive paralele aq të ndryshme këtë radhë i është bashkuar edhe media sociale. Në kolonën e djathtë të facebook-ut (aty ku reklamohet)sheh sa B, sa R, sa M, një lukuni me anonimë, manjakë, sa orientalë aq dhe oksidentalë; një “han” me intelektualë brilantë, injorantë monumentalë, ateistë, hoxhallarë, pashallarë, bajraktarë, morracakë e allçakë (thonë edhe njerëz me precedentë penalë), që na çuçurisin dhe cicërijnë vetëm në kohë fushate.

Në këtë batërdi si mund të mungonin edhe këngëtarët që bëjnë muziko-politikë për një grusht dollarë si në ”Wild West”?!

Le t’i bëjmë këto pale zgjedhje si çdo vend i civilizuar, me një fushatë normale, në terma dhe kohëzgjatje, dhe le t’i vendosim këto zgjedhje në funksion të asaj që u përmend në fillim: të artit, sportit, edukimit, kulturës etj. Mos i lemë politikanët të na i mbysin edhe këto pak argëtime që kemi. Për një herë të vetme e kemi ne në dorë nëse do të dëgjojmë cicërimat e tyre të shëmtuara apo do t’i lemë t’i cicërojnë njëri tjetrit si çifte romantike (kujto B-M dhe tani R-M).

Dua t’i mbyll këto pak radhë me një pasazh nga filmi i mirërealizuar i Ridley Scottit “Kingdom of Heaven”. Duke farkëtuar armë (ai ishte profesioni i Bloomit, por ju jeni të lirë të mendoni një fermer meqë është bërë e modës) Orlando Bloomin, që luan rolin e Baronit të Ibelinit, e pyet një kryqtar:

“Ke qenë në luftë?” “Vetëm me kalë”, ia kthen Bloomi.

“Me kë dhe kundër kujt ke luftuar”, vjen pyetja tjetër. “Për një lord kundër një tjetri. Për diçka që nuk dua ta kujtoj”, përgjigjia.

“Tani bëhet fjalë për një “lojë” më të mirë. Një Zot kundër një tjetri“, ia kthen kryqtari.

Ne të mjerët kemi fatin e keq! Edhe këtu është rritur “loja”. Mesa duket jemi pjesë e një “lufte” treshe. Na ndihtë Zoti!
Shtuar më 31/05/2013, ora 10:18
Tage: Albeu.com

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori