Një gol nuk mjaftoi, Tirana “bie” ndaj Besiktas

Ashtu siç pritej, potenca e “gjigandëve” turq të Besiktas ishte shumë e madhe për “bardheblutë” e Tirëns, të cilët janë mundur me rezultatin 3 me 1, në “Vodafone Arena” në përballjen e parë të vlefshme për fazën e dytë kualifikuese të Conference League.

Dominimi i vendasve u duk që në minutat e para dhe në minutën e 20’ të sfidës vjen dhe goli i vendasve, ku pas një krosimi në zonë të Masuaku, anësori i sulmit, Onur Bulut mposht portierin Selmani me një goditje të lehtë me kokë. Mirëpo, pjesa e parë nuk mbaron me kaq, pasi vetëm 3 minuta para përfundimit të saj, anësori tjetër i sulmit, Jackson Muleka tund rrjetën e “bardhebluve” pas një asistimi nga kamerunasi, Vincent Aboubakar.

Me fillimin e pjesës së dytë, “bardheblutë” e Orges Shehit ndezën motorrët në kërkim të golit, gol i cili u arrit vetëm në minutën e 83’-të të sfidës, ku pas një pasimi fantastik nga Haxhiu, në vijën fatale, “fantazisti” brazilian Kaina çon topin në rrjetë duke ngushtuar shifrat në 2 me 1, por vetëm për 10 minuta pasi në “frymën e fundit” të lojës, Semih Kilicsoy gjen të papërgatitur portierin Selmani, duke çuar rezultatin në 3 me 1.

Tashmë, për të vulosur kualifikimin e njërës prej këtyre skuadrave, duhen të luhen dhe 90 minuta të tjera, minuta këto që do të luhen në mitikun e Tiranës, “Air Albania”, aty ku turqit do ta kenë tepër të vështirë për çarë “murin bardheblu”.


Shtuar 27.07.2023 22:01