Kosova dëbon dy serbë për “pjesëmarrje në protesta të dhunshme” në veri

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar dy persona të nacionalitetit serb me inicialet S.J. dhe I.S., me gjashtë muaj burgim, me mundësinë e shndërrimit të dënimit në gjobë.

Avokati Lubomir Pantoviq i ka thënë Radios Evropa e Lirë se paratë u janë dorëzuar autoriteteve, dhe ata do të kthehen në Serbi, më 3 gusht.

“Ndaj tyre është caktuar masa e dëbimit nga Kosova dhe ndalimi i hyrjes në shtet për tri vjet”, ka thënë Pantoviq.

Të dy personat janë arrestuar në fund të majit në pikëkalimin kufitar të Jarinjës, ndërsa në fund të korrikut ata janë paditur nën dyshimet për “pjesëmarrje në protesta të dhunshme” dhe “posedim të paautorizuar të armëve”.

Zyra e Prokurorit në Kosovë, ka thënë paraprakisht se të dy personat kanë qenë duke “përgatitur veprime për të shkaktuar rrezik të përgjithshëm” dhe ata janë në kontakt me “protestues të dhunshëm serbë”, të cilët janë përleshur me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, më 29 maj, para ndërtesës komunale të Zveçanit.

Në këtë konflikt janë plagosur rreth 30 ushtarë të KFOR-it dhe dhjetëra protestues të komunitetit serb.

Policia e Kosovës i ka arrestuar deri më tani disa serbë për sulmet ndaj policisë, KFOR-it dhe gazetarëve.

Megjithatë, shumica janë liruar që atëherë.

Situata në veri është tensionuar në fund të majit pasi serbët lokalë e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Ata nuk i kanë pranuar kryetarët, ndonëse i kanë bojkotuar zgjedhjet.

Për disa javë, para ndërtesave janë mbajtur protesta çdo ditë, me kërkesë që kryetarët të tërhiqen, bashkë me pjesëtarët e Policisë të angazhuar në atë zonë.

Më 10 korrik, Kosova dhe Bashkimi Evropian, kanë arritur marrëveshje për ulje të tensioneve, që mes tjerash parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.


Shtuar 3.08.2023 15:14