Një yll duke ‘lindur’ te Fiorentina, talenti shqiptar ndjek shembullin e Brojës

Shqipëria ka shumë talente në botën e futbollit.

Një nga këta është Armando Broja që po mahnit botën e futbollit në Angli, aty ku ai luan me klubin e Southampton. Manaj, Djimsiti, Kumbulla etj të cilët po shkruajnë emrin e tyre me ekipet përkatëse në Seria A janë disa të tjerë prej yjeve tanë.

Së fundmi, një emër tjetër është duke shkruajtur emrin e tij në fletën e bardhë të botës së futbollit. 19-vjeçari Eljon Toçi ëhstë duke spikatur me cilësitë e tij.

Djaloshi i talentuar luan për Fiorentinën në ekipin e moshave. Ai luante për Shqipërinë U-19 por me aftësitë e tij mbresëlënëse, bëri që U-21 ta merrte në ekip.

Ai ka dhënë një intervistë për fshf.org duke treguar se si e nisi futbolli, kush e këshillon, ëndërrat e tij dhe kë ka si shëmbull për t’ia ndjekur hapat.

 

-Eljon, si ka nisur për ju lidhja me futbollin? Kush është njeriu që ju ka shtyrë drejt këtij sporti?

– Lidhja ime me futbollin ka nisur që në moshën 6-vjeçare. Njeriu që më ka afruar më shumë me këtë sport ka qenë babai, por edhe shoqëria e së njëjtës moshë më ka tërhequr nga futbolli. Luanim gjithmonë së bashku dhe aty më lindi pasioni për futbollin.

-Çfarë ju shtyn që të rriteni edhe më shumë në këtë profesion?

– Futbolli është ëndrra e jetës sime dhe kjo është një shtysë për mua. Që 6 vjeç ëndërroja të debutoja në Serie A. Kjo është ambicia ime dhe e gjithë familjes. Kjo më motivon të vazhdoj e të rritem në këtë profesion.

-Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?

– Personi që më këshillon më shumë normalisht është trajneri i skuadrës. Gjithsesi para ndeshjeve gjithmonë në mbrëmje flas me familjarët dhe ata më japin më shumë motivim në aspektin mendor, se sa në anën taktike. Familjaret janë ata që më rrinë më afër, absolutisht.

-Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga Shqipëria U19? Çfarë kujtoni nga grumbullimi dhe ndeshja e parë?

– Kur mora ftesën nga Kombëtarja U-19 për herë të parë, u ndjeva shumë krenar unë dhe familjarët e mi. Kujtoj që në grumbullimin e parë njihja shumë lojtarë, pasi luanin në Itali. Ishin shumë lojtarë me cilësi dhe nivel. Aty arrita të kuptoj që futbolli shqiptar çdo vit përmirësohet. Më kujtohet ndeshja e parë, kundër Italisë. Italia është skuadër e fortë, por ne e mbajtëm rezultatin duke luajtur mirë. Të gjithë më komplimentuar.

-Çfarë mund të veçoni deri më tani nga jeta juaj futbollistike? Ka një arritje për të cilën jeni krenar?

– Jeta ime futbollistike ka qenë e thjeshtë, kam kaluar të gjitha moshat. Ajo që më ka veçuar nga të tjerët është se luaja me më të mëdhenj se vetja. Shokët e skuadrës ishin një vit ose dy vite më të mëdhenj. Kjo është gjëja që më ka veçuar më shumë. Arritja ime personale për të cilën jam krenar është fakti që më ka ftuar Fiorentina, një klub i Serie A.

– Çfarë ndjesie ishte të grumbulloheshit me ekipin e parë të Fiorentinës?

– Grumbullimi i parë ka qenë emocion i papërshkrueshëm. Luajtëm në Romë në “Olimpico” dhe për mua ishte e pabesueshme që ëndrra e një jete u realizua. I shikoja të gjithë lojtarët, që deri para tre viteve i shikoja në TV, pesë metra nga unë. Ishte emocion tepër i fortë.

-Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull? Po lojtari i huaj?

– Lojtari që më motivon më shumë është Broja, absolutisht. Kjo sepse është një lojtar që ka arritur gjëra të rëndësishme  për moshën që ka. Unë e marr si shembull sepse nuk është e lehtë jashtë Shqipërie të arrish në ato nivele, për një lojtar shqiptar. Kurse lojtari i huaj që e kam si shembull le të themi, është Zlatan Ibrahimoviç. Ai është lojtar i skuadrës që e kam në zemër, Milani, dhe është sulmuesi më i fortë.

– Në Itali tani ka një numër të madh shqiptarësh që po luajnë në Serie A. Si ndjeheni për këtë dhe sa besim ju jep që shumë shpejt dhe ju do u bashkoheni atyre?

– Unë jam shumë krenar kur shoh lojtarë shqiptarë që luajnë në Serie A. Kjo më jep motivim dhe kurajo që edhe unë në të ardhmen të bashkohem me ata.

-Duke parë që ju luani jashtë dhe shumë elementë të tjerë të rinj luajnë në kampionate të rëndësishme europiane, a mendoni se Shqipëria ka një të ardhme të ndritur?

– Sipas meje Shqipëria ka një të ardhme shumë të ndritur, sepse çdo vit e më shumë rritet niveli i skuadrave shqiptare, kombëtareve, rritet niveli i lojtarëve që kanë. Për mua kombëtarja shqiptare do të shkojë shumë përpara, sikurse futbolli shqiptar.

-Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll? Ka një futbollist në gjurmët e të cilit do të donit të ecnit?

– Synimi më i madh për mua është të arrij në Serie A, pasi është ëndrra ime. Do të doja të “imitoja” Ibrahimoviç, të arrij në majat e futbollit italian dhe jashtë tij. Dua të jem një idhull për gjithë lojtarët shqiptarë që luajnë anembanë botës./ h.ll/albeu.com


Shtuar 9.02.2022 10:03