Sherr mes dy personave në një lokal në Berat, njëri nxjerr armën dhe qëllon në ajër

Dy persona janë konfliktuar me njëri-tjetrin në një nga lokalet e qytetit të Beratit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00 në lokalin “Bar Kristi” në lagjen “30 Vjetori” në Berat, ku mësohet se ka nisur sherri mes tyre. Më pas, ata kanë dalë jashtë dhe 55-vjeçari ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar disa herë në ajër, duke tmerruar banorët e lagjes.

Pas kësaj, 55-vjeçari Ilir Mamurani dhe 25-vjeçari Emiljano Zoga, të cilët u konfliktuan me njëri-tjetrin, u larguan nga vendngjarja. Në vendin e ngjarjen kanë mbërritur forca të shumta policie, që po kryejnë këqyrjen e zonës, ku edhe po kërkohen gëzhojat. Po kështu, policia është duke pyetur edhe dëshmitarë në vendngjarje, për të kuptuar dinamikën e ngjarjes dhe shkaqet e saj.

Paraprakisht dyshohet se shkak për konfliktin është bërë parkimi i mjeteve, ndërkohë që policia po punon për kapjen e autorit./bw


Shtuar 9.06.2023 13:44