Neritan Ceka tregon si i shpëtoi atentatit: Më vendosën pistoletën në kokë

Arkeologu Neritan Ceka ka rrëfyer se si ndaj tij në vitin 1996 është bërë atentat.

Ai ka treguar në emisionin “Opinion” se e kishte pasur pistoletën pas koke, por nuk kishte ndjerë asgjë.

Autori ishte detyruar që ta mbushte prapë pistoletën dhe herën e dytë qëlloi, por një i ri ia ngriti dorën, e në këtë mënyrë Neritan Ceka shpëtoi.

Neritan Ceka: Pothuajse ka qenë takim. Nuk ishte tamam takim elektoral ishte pas zgjedhjeve të 26 Majit, ajo periudha pastaj ishin zgjedhjet lokale, manipulimi i vitit 1996 dhe situata që po fillonte drejt degradimit. Pati një miting që e penguan, e ndaluan veprimtaritë politike në sheshin Skënderbej. Iu dha opozitës në atë kohë, iu dha fusha e Ali Demit, ku ishte krijuar një lloj kohezioni mes partive politike. Unë mbajta një fjalim në emër të Aleancës Demokratike ku ke qenë dhe ti anëtar i asaj kohe. Që aty pastaj, kur u mbyll mitingu vendosëm që të shkojmë tek Qyteti Studenti për t’i dhënë një mesazh studentëve dhe kaluam nëpër ato rrugicat e ngushta që kalojnë mes atyre lagjeve kaotike. Por që kur po mbaja fjalimin pashë 3-4 veta që po më shikonin në mënyrë të çuditshme dhe ne i njihnim ata ishin me këto grupet me militantë që zakonisht vinin të veshur keq. Në një moment dëgjova një krisëm. Pastaj më thanë që krisma ishte në fakt shkrepja e dytë. Shkrepja e parë më ishte vënë tek koka nga mbrapa, unë po ecja, nuk i kishte ndezur plumbi, e kishte mbushur prapë revolverin. Tek koka, këtu prapa. Ia ngriti dorën një djalë i ri dhe pastaj e kapën dhe të tjerë, se u shkrep arma e morën armën dhe e rrahën, e lanë aty dhe pastaj e çuan në spital. Armën e hodhën në një ballkon në një shtëpi që ishte aty afër. Unë nuk e ndjeva fare, vetëm kur dëgjova krismën e dytë ktheva kokën dhe ishin në një distancë vetëm 1 metër larg meje. Pastaj ma sqaruan se çfarë kishte ndodhur.