QUINT-i dhe BE-ja: Jemi të shqetësuar me heqjen e licencës së Klan Kosovës

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në Kosovë, kanë shprehur shqetësim, siç kanë thënë, të thellë, me vendimin e sotëm të Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për ta konfirmuar pezullimin e licencës së biznesit të televizionit Klan Kosova.

“Ne jemi, në veçanti, të shqetësuar me heqjen e licencës së biznesit të Klan Kosovës me një vendim joproporcional, i cili do të ketë pasoja në pluralitetin e medias në Kosovë”, thuhet në një komunikatë të përbashkët të QUINT-it dhe BE-së të premten vonë.

Të premten pasdite, MINT-i e hodhi poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit privat.

Në komunikatën e përbashkët tutje thuhet se heqja e licencës së cilido medium është “hap i rëndësishëm që kërkon rishikim rigoroz”, dhe se liria e shprehjes dhe informimi janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike.

Ambasadat e huaja në Prishtinë presin proces ligjor “të drejtë dhe transparent për zgjidhjen e kësaj çështje”.

Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve vendosi të premten se Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës”.

Vendimi i Komisionit e përmbyll këtë rast brenda Ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente, njoftoi MINT të premten.

Më 14 qershor Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ngriti kallëzimi penal ndaj Shoqërisë Tregtare, Klan Kosova.

Kallëzimi penal u ngrit me “pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

Më 21 qershor, ARBK-ja e kishte shfuqizuar përkohësisht vendimin e 14 qershorit për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit privat, para se ta kthente në fuqi atë menjëherë më 22 qershor.

Televizioni kombëtar privat, Klan Kosova, ka nisur transmetimin më 17 shkurt të vitit 2009.