Tentuan të kalonin kanabis në doganën e Qafë Thanës, e pësojnë dy turistët nga Australia dhe Gjermania

Një turist australian është arrestuar nga Policia në Qafë Thanë dhe një turiste gjermane është proceduar penalisht, pasi në mjetet me të cilat ata udhëtonin janë gjetur sasi të vogla të dyshuara kanabis.

Të dy këta shtetas po dilnin nga territori shqiptar në doganën e Qafë Thanës.

Njoftimi i Policisë

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve ndaj shtetasve dhe mjeteve, kanë konstatuar në dalje të Republikës së Shqipërisë, dhe kanë goditur 2 raste të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, raste për të cilat:

• u arrestua në flagrancë shtetasi G. P., 63 vjeç, banues në Australi, pasi iu gjet në automjetin furgon që drejtonte, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis;

• u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen H. T., 24 vjeçe, banuese në Gjermani, pasi gjatë kontrollit në automjetin kamper me të cilin udhëtonte, në çantën e kësaj shtetaseje u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Sasitë e lëndës të dyshuar narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme./albeu.com/