Lidhja me prokurorin, ky është “Rrumi” i Shijakut që do të ekzekutohej: Shkuam ta vrisnim por na kapën e na rrahën keq

Ditën e sotme policia e Durrësit goditi një grup kriminal ku bënin pjesë edhe vëllezërit Beqiraj të rrëmbyer dy ditë më parë në autostradën Tiranë-Durrës.

Pasi i shpëtuan rrëmbimit, ata rrëfyen në polici rreth disa ngjarjeve të ndodhura në botën e krimit.

Pëllumb Muharremi i njohur me pseudonimin “Rrumi” i Shijakut ishte planifikuar që të vritej. Kështu deklaruan dy vëllezërit Gentian dhe Indrit Beqiraj.

Ata shtuan po ashtu se ishin nisur për të eliminuar Rrumin e Shijakut, por u pikasën dhe u rrahën nga shokët e tij.

Por kush është i forti i Shijakut?

I skeduar disa herë për ngjarje të rënda kriminale, pjesa më e madhe e të cilave nuk i është provuar, “Rrumi”, ishte mik i prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoji.

Ai mbeti i plagosur me një plumb në nofull, gjatë atentatit kundër prokurorit disa vite më parë. Njihet si “i forti” i Shijakut, por “bëmat” e tij duket se kanë një rreze më të gjerë se brenda hapësirës së 4 rrugëve të vendlindjes së tij.

Të gjithë e thërrasin me pseudonimin “Rrumi”, ndërsa policia thotë se ai e ka ndryshuar emrin të paktën dy herë. Fillimisht quhej Pëllumb Muharremi, më pas Landi Muharremi, emër i cili është shënuar shpesh në regjistrat e Policisë së Durrësit, por edhe të Tiranës. Ndërsa së fundmi, e kishte ndryshuar sërish emrin dhe në dokumente figuron si Aleksandër Laho.

Më 14 shtator të vitit 2016, Policia e Tiranës shoqëroi 3 persona të dyshuar si autorë të rrahjes së biznesmenit amerikano-libanez, Fadi Mitri, në rrugën e Rinasit. Të dyshuarit ishin të tre nga Shijaku dhe sipas burimeve nga grupi hetimor në atë kohë u dyshuan se mund të ishin paguar ose porositur nga persona të tjerë për të dhunuar e kërcënuar investitorin e huaj.

Në atë kohë se tre personat e shoqëruar në lidhje me ngjarjen e datës 10 shtator 2016 ishin: Skënder Krahja, Landi Muharremi dhe Arben Mërkuri, të tre nga Shijaku. Landi Muharremi u hetua edhe për rrahjen e një avokati, ngjarje për të cilën po ashtu nuk u arrestua asnjëherë.

Emrat që njihet Pëllumb Muharremi

  1. Landi Muharremi
  2. Pëllumb Muharremi
  3. Aleksandër Laho
  4. Pseudonimi “Rrumi”