“I vodha paratë sepse e urreja”, zbardhet dëshmia e pastruese që mori mijëra euro nga vila e ish-këshilltares

“Kisha urrejtje për Alda Klosin, prandaj ia vodha paratë nga kasaforta që kishte te dhoma e gjumit”, citohet të ketë thënë Rozeta Rakipllari Dobi, e cila ndodhet pas hekurave bashkë me të birin.

Nënë e bir akuzohen për vjedhjen e rreth 700 mijë eurove nga banesa e ish-këshilltares së qeverisë Alda Klosi, ku Rozeta kishte punuar si pastruese.

Rozeta Rakipllari dhe Havier Dobi u lanë në burg sot nga Gjykata e Tiranës me akuzën e vjedhjes.
Nënë e bir u arrestuan dy ditë më parë me akuzën e vjedhjes së mijëra eurove në banesat ku 49-vjeçarja punonte si pastruese.

Ngjarja ndodhi në Rrugën e Kosovarëve, në një banesë ku Klosi e kishte marrë me qira prej 2 muajsh. Në momentin e vjedhjes, Klosi nuk ndodhej në banesë pasi kishte udhëtuar jashtë shtetit.

Rozeta Rakipllari, së bashku me djalin e saj Havier Dobin është autore e vjedhjes së 524.800 eurove, 8500 dollarëve dhe 368.000 lekëve të rinj si dhe aksesorë flori, në banesën e Alda Klosit alias Çiko, e cila ka qënë Drejtore Kabineti pranë ish-ministrit të Rindërtimit dhe ish-Zv/kryeministrit të vendit, Arben Ahmetaj.

Pjesë nga Dosja

“Në datë 15.12.2022 i kërkova djalit tim shtetasit Havier Dobi të më dërgonte me makinë tek banesa e Aldes. Gjatë kontrollit ka vënë re se në dhomën e gjumit në dollap ajo mbante një kasafortë e cila ishte në ngjyrë gri. Pasi e ka hapur atë brenda saj ka konstatuar se ndodheshin shuma monetare të prerjeve 500,200,euro dhe 100 dollar, në moment që i ka parë këto shuma parash nga urrejtja që kishte krijuar ndaj shtetases Alda Klosi i ka marrë paratë dhe është larguar më pas me mjetin e djalit të saj. Deklaron se shuma e parave të gjetura në banesën time është nga shuma e lekëve që ka marrë në banesën e shtetases Alda Klosi.”

Rozeta Rakipllari, ka pranuar të tregojë se vjedhjen e banesës së Alda Klosit, e ka kryer së bashku me djalin e saj, Havier Dobin, i cili e ka ndihmuar për të lëvizur kasafortën që Klosi mbante në shtëpi.

Nga ana tjetër Klosi deklaroi se lekët i kishte të deklaruara dhe i kishte mbledhur për kurimin e xhaxhait.

“Lekët i kam të gjitha të deklaruara. Lekët i kisha për një rast fatkeqësie, për xhaxhin tim që e kam me tumor. Ndodhet në SHBA. I kemi gjetur, mbledhur lekët për këtë rast. Unë kam qenë në Amerikë. Denoncimin e bëra vetë”, tha Klosi.

Por Prokuroria e Tiranës nga ana tjetër ka nisur hetimet për origjinën e parave të Klosit.

Dyshimet janë ngritur pas gjetjes së një tjetër sasie parash këtë të dielë në banesën e nënë e bir. Blutë e kryeqytetit u rikthyen për kontroll pas informacioneve të marra dhe në tubin e aspirimit gjetën 404 800 Euro, 8500 Dollarë dhe aksesorë floriri.

Policia ende nuk ka zbuluar nëse edhe këto para u vodhën në banesën e Alda Klosit, apo në shtëpi të tjera ku Rozeta Dobi kishte punuar si pastruese. Historia nisi pas denoncimit të bërë më 15 Dhjetor nga Alda Klosi për vjedhjen e banesës. 2 të arrestuarit u mbajtën nën vëzhgim dhe u zbulua se ata kishin hyrë në banesë nëpërmjet një çelësi të kopjuar.

Ata kishin krijuar rrëmujë në banesë me qëllim që vjedhja të dukej si grabitje, megjithatë provat e administruara nga policia kanë çuar në identifikimin e tyre. Policia sekuestroi edhe 3 automjete që dyshohet se u blenë me paratë e grabitura. Përpara hetuesve, 2 të arrestuarit kanë pranuar krimin./Albeu.com/