Skandali në spital/ QSUT-ja shkarkon mjeken dhe sanitaren (VIDEO)
Rreth kësaj teme:

Pas skandalit të denoncuar në rrjetet sociale, ku në një video të publikuar nga “JOQ” shihej se si mjekët merrnin para për një operacion apandesiti, vjen edhe reagimi i QSUT e cila njofton se kanë nisur procedurat për zgjidhje të menjëhershme të marrëdhënieve të punës për mjeken E.N dhe sanitaren M.K.

Njoftimi i QSUT
Drejtoria e QSUT reagon menjëherë pas daljes në mediat online, të pamjeve filmike, ku shfaqen dy punonjëse të stafit mjekësor dhe sanitar në shërbimin e Urgjencës Kirurgjikale, në një akt mitmarrje gjatë ushtrimit të detyrës.

Drejtoria e Përgjithshme e QSUT-së, njofton se është duke zbatuar procedurat e parashikuara nga dispozitat e Kodit të Punës për zgjidhje të menjëhershme të marrëdhënieve të punës për mjeken E.N dhe sanitaren M.K., ndërkohë që çështja po i përcillet organeve kompetente ligjzbatuese si dhe Urdhërit Profesional të Mjekut për ndjekjen e mëtejshme.

Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u bën thirrje të gjithë qytetarëve që marrin shërbime mjekësore në QSUT, që të mos hezitojnë për të bashkëpunuar në raportimin dhe denoncimin e çdo rasti korruptiv, në cilindo nivel të shërbimit spitalor./Albeu.com/


Shtuar më 31/01/2017, ora 21:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori