Fiskalizimi, bizneset bëhen “lëmsh” me faturat; 100 mijë subjekte do përfshihen në faturimin elektronik

Faza e dytë e fiskalizimit, që nisi në 1 korrik për transaksionet pa para në dorë midis taksapaguesve (B2B), po shoqërohet me shumë problematika.

Pezullimi i gjobave deri në fund të vitit ka bërë që shumë subjekte të lëshojnë fatura të pafiskalizuara, me pretendimin që nuk ka gjoba.

Hyn në fuqi akti normativ që pezullon gjobat për fiskalizimin deri në 31 dhjetor

“Gjithë faturat që më erdhën sot nga biznese të mëdha, ishin të gjitha me sistemin e vjetër, pra me fatura nga blloku i TVSH-së, meqë u miratua heqja e gjobave deri në fund të vitit”, thotë një kontabilist.

Shumë subjekte po faturojnë me blloqet e vjetra, duke e vendosur datën e transaksionit para korrikut.

Teksa shumë biznese, nga 34 mijë subjektet që duhet të përfshiheshin në fazën e dytë, nuk e kanë kryer ende fiskalizimin, subjektet që kanë filluar ta zbatojnë atë, janë të paqarta nëse duhet të pranojnë faturat me blloqe, pasi tremben se nuk do t’u njihen si shpenzime të zbritshme, apo nuk do u njihet TVSh e rimbursueshme. Subjektet ende nuk e dinë se si do të procedohet për transaksionet mes bizneseve të fiskalizuara dhe të pafisklazuara për B2B, apo si do të bëhet deklarimi i librave të shitjes e blerjes për korrikun.

Drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, pohoi dje në Komisionin e Ekonomisë se bizneset e pafiskalizuara nuk do gjobiten për përdorimin e blloqeve tatimore. “Mosaplikimi i gjobave do të lidhet me faktin që të gjitha bizneset që nuk janë fiskalizuar do të vazhdojnë të përdorin blloqet tatimore deri në momentin e fiskalizmit. Nga drejtoria e tatimeve do të bëhet një njoftim se si do të funksionojnë bizneset, që nuk janë fiskalizuar ende”, tha ajo.

Kontabilisti Sotiraq Dhamo tha për Monitor se problemi nuk është falja e gjobave nëpërmjet miratimit të aktit normativ, por pranimi i faturave të blerësve, a do t’u njihet atyre TVSH-ja, a do t’u zbriten shpenzimet. “Ligji i qarkullimit të faturave përcakton se nëse ajo nuk është e fiskalizuar nuk njihet si shpenzim i zbritshëm, nëse nuk është fiskalizuar. A do të konsiderohet kjo procedurë, që përcaktohet në këtë ligj dhe jo te ligji “Për procedurat tatimore”. Sipas ligjit për TVSH-në a do të njihet në këtë rast TVSH-ja e kreditueshme te atyre faturave që duhet të ishin fiskalizuar dhe nuk janë të tilla. Edhe kjo nuk sqarohet nga tatimet, por vëtëm thonë janë hequr penalitet, ndërkohë këto procedura nuk lidhen drejpërdrejt me penalitetet.

Mendoj se bizneset në fazën B2B që kanë probleme me fiskalizimin, si p.sh rezulton që nuk janë regjistruar nuk kanë zgjidhje tjetër vecse të lëshojnë fatura me sistemin e vjetër, derisa të regjistrohen. Problemi është te bizneset blerëse. A duhet t’i pranojnë këto fatura? Prandaj është e domosdoshme një sqarim nga drejtoria e tatimeve, që për këto fatura nuk do të ketë penalitete dhe do njihen si shpenzime të zbritshme”, thekson Dhamo.

100 mijë subjekte do përfshihen në fiskalizim

Ekspertët fiskalë kishin kërkuar që të lihej më shumë kohë për fiskalizimin dhe ai të mos fillonte njëherësh, por të testohej me sektorë të ndryshëm, në mënyrë që të bëheshin më të qarta problematikat. Ndërsa për heqjen e gjobave, ndërkohë që fiskalizimi filloi zbatimin, ata paralajmëruan se masë e pamenduar fare dhe e pastudiuar, veç do rrisë evazionin, do keqësoje edukimin e tatimpaguesve, do ndëshkojë në një etapë të dytë me mijëra biznese.

Dhoma e tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në një përgjigje drejtuar Ministrisë së Financave argumentonte se: “Ashtu siç kanë vepruar shumë vende evropiane, periudha e testimit të platformës të faturës elektronike do të duhet domosdoshmërish të shtyhet. Është shumë e rëndësishme jo vetë që të mos aplikohen penalitete, por të evidentohen problemet dhe të mbështeten sipërmarrjet në përballimin e kostove për kualifikimin e stafit që do të aplikojë në platformën e faturave elektronike.

Adoptimi i programeve të reja kompjuterike, mirëmbajtja e sistemit, kostot dhe periudha e trajnimit të stafit brenda kompanisë, ashtu edhe vetë testimi i platformës së faturës elektronike, forcon bindjen tek sipërmarrja nevojën për shtyrjen e afateve ligjore për zbatimin e kësaj reforme, përtej vitit 2021”, thuhet në mendimin e Dhomës.

Drejtoria e tatimeve ka bërë të ditur se deri tani 22 mijë subjekte janë pajisur me certifikatë elektronike, që është hapi i parë për fillimin e procesit të fiskalizimit, pasi mundëson kryerjen e nënshkrimit elektronik. Bizneset ankohen ndërkohë dhe në vonesa në marrjen e certifikatës elektronike.

Nga 1 shtatori fillon dhe faza e tretë dhe e fundit e fiskalizimit për transaskionet në cash mes bizneseve dhe konsumatorëve, ku do të përfshihen gjithë bizneset e vogla, përveç ambulantëve. Zv.ministrja e financave Vasilika Vjero tha në Komisionin e Ekonomisë se janë më shumë se 100 mijë tatimpagues që do të hyjnë në procesin e fiskalizimit sipas afateve kohore të përcaktuar në ligj. Ajo shtoi se nuk do të ketë më shtyrje. “Nga 1 janari 2022 do të fillojë të funksionojë çdo gjë sipas legjislacionit, nuk do të jetë në fuqi heqja e gjobave”.

Ekspertët dhe kontabilistët shprehin shqetësimin se kur sistemi shfaqi probleme me funksiononim, a do të arrijë ai të përballojë ngarkesën, kur të përfshihen të gjitha subjektet në shtator?!/Monitor


Shtuar 7.07.2021 07:59