Si e akuzonte Sali Berisha për vjedhjen e floririt Ilir Metën (VIDEO)
Top Story solli në transmetim kohën se kur u zbulua se floriri ishte vjedhur në Tunelin e Krrabës.

Dosja gjyqësore tregon se drejtuesi i grupit për sigurinë e thesarit të shtetit, Arjan Bishqemi, ka bërë një kontroll të dytë në datën 24 prill 1997. Më shumë se një muaj pas sulmeve. Por çuditërisht edhe këtë rradhë ai nuk kërkon që të bëhet kontrolli fizik dhe të shikohej nëse thesari ishte prekur apo jo. Inventari që zbuloi se në tunelin e krrabës mungonin rreth 280 kg flori, u bë në datën 7 prill të vitit 2000. Plot 3 vjet pas sulmeve në tunel. E pabesueshme, por e vërtetë.

“Shteti socialist që erdhi më vonë, u tregua kaq i papërgjegjshëm, sa minimalisht duhej të bënte një inventar për të kuptuar se sa ar kemi? A është aty? A ka ndodhur gjë pas gjithë asaj katrahure që kaloi Shqipëria?”, tha Artan Hoxha.

Po çfarë është grabitur saktesisht në tunelin sekret të thesarit të shtetit në Krrabë?

Inventari ë bërë 3 vjet pas vjedhjes, me 7 prill 2000, konstatoi se nga 24 arkat speciale metalike në të cilat ishte vendosur ari në gjendje monedhe lira turke, napolona francez dhe dollarë amerikanë, 11 arka ishin krejtesisht të zbrazura.

Ndërsa nga 97 arkat e mbushura secila me nga 20 kilogram argjend, ishin hapur vetëm 2 arka, por nuk ishte grabitur asnje gram argjend.

“Elementi që bën çudi, dhe prandaj unë vazhdoj të këmbëngul edhe sot se ai thesar është grabitur nga njerëz me pushtet, është që ata nuk kishin humbur kohë të merreshin me 97 arkat e mbushura me argjend”, tha Artan Hoxha.

Nga 24.000 napolona ari në total, grabitesit kishin marre rreth 4000 napolona.

Dëmin më të madh e pësuan lirat turke, ku nga 62 mijë të tilla, grabitësit moren rreth 40 mijë.

Kurse nga 1600 dollaret amerikane prej ari qe ndodheshin ne thesarin e shtetit, u grabitën vetem 10 prej tyre.

Personi që e e artikuloi për herë të parë publikisht, dhe ngriti alarmin se floriri i krrabës ishte grabitur, ishte Sali Berisha. Në vitin 2000 ai akuzonte kryeministrin e atëhershëm Ilir Meta si shkaktarin e kësaj vjedhje shtetërore.

“Nëqoftëse dikush mendon tu vjedhi shqiptarëve floririn dhe të laj duart si ponc pilati, gabon shumë rëndë, ka bërë llogaritë shumë të gabuara. Kërkoj me insistim dorëheqjen e Ilir Metës”, pat deklaruar Sali Berisha.

Këtij version zoti Berisha i qëndron edhe sot.

“Ai tjetri në fund nuk quhet Ilir Meta, por Ilir Floriri”, deklaroi Sali Berisha

Vetë Ilir Meta në një intervistë për Top Channel, disa vite më vonë, mohon akuzat. Por ai e pranon se ishte opozita që e shtyu të bënte verifikime zyrtare për gjendje ne thesarit.

“Pas insistimit të opozitës se thesari i shtetit është prekur, është cenuar, në atë kohë unë si Kryeministër i kam kërkuar autoriteteve përgjegjëse, ministrisë së rendit publik, për të bërë një verifikim të gjendjes në të cilën ndodhej thesari i shtetit. Përgjigja e grupit që ka bërë verifikimin, ka qenë se nuk ka pasur asnjë cënim të thesarit të shtetit, por në fakt në mos gaboj nuk kishin bërë inventarin fizik, por vetëm vëzhgimin e godinës nga jasht. pas verifikimit fizik, u verifikua që një pjesë e konsiderueshme e monedhave ishin grabitur. më pas u bënë edhe hetimet përkatëse dhe u verifikua edhe mënyra edhe vendi se nga ishte bërë një grabitje e tillë”, pat deklaruar Ilir Meta.

Sali Berisha ka akuzuar dhe akuzon vazhdimisht Ilir Metën si dora e cila qëndron pas grabitjes së thesarit. Megjithatë, kur mori qeverinë në vitin 2005, nuk hapi asnjë hetim për këtë çështje.

Nga ana tjetër, Ilir Meta, jep një kundër akuzë për zotin Berisha.

“Edhe sot, unë nuk e kuptoj se nga e dinte opozita që thesari i shtetit ishte vjedhur apo ishte cënuar”, pat deklaruar Ilir Meta.

Shtuar më 21/02/2019, ora 09:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori