E PAPRITUR/ Kurti: Vendet e Ballkanit që i kanë vendosur sanksione Rusisë të antarësohen në BE dhe NATO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur pas takimit në Prishtinë me zyrtarët e lartë amerikanë. Ai tha se me delegacionin amerikan të udhëhequr nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried biseduan për thellim të bashkëpunimit në mes të dy vendve.

I pari i ekzekutivit tha se Kosova do të jetë gjithmonë krah SHBA’së derisa kërkoi integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO.

Kurti kujtoi se Serbia nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, veprim ky i cili sipas Kurtit s’duhet mirëkuptuar.

“Edhe sot folëm për sukseset e shtetit të Kosovës dhe rolin dhe kontributin e madh që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta japin në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit tonë. Biseduam për arritjet e qeverisë sonë gjatë vitit të parë dhe rëndësinë e bashkëpunimit më të thelle në mes të dy vendeve tona, sidomos në fushën e ekonomisë, të mbrojtjes dhe të sigurisë”, tha Kurti.

“Dje u bënë dy muaj prej që kur nisi invazioni dhe agresioni i pa provokuar dhe pa justifikuar i Federatës Ruse ndaj Ukrainës. Kjo luftë që shumë liderë vendesh nuk e prisnin të ndodhnin, po zgjat shumë më gjatë se që agresori e priste të ndodhte. Derisa e mbështesim dhe e shohim me admirim rezistencën e popullit ukrainas, ne duhet të mbetemi të vëmendshëm për rreziqet që mund të nxis dëshpërimi i Putinit despotik”, shtoi ai.

“Reagimi dhe rreshtimi i Republikës së Kosovës me SHBA me BE dhe Mbretërinë e Bashkuar ka qenë i menjëhershëm. Një rreshtim i tillë është vlerë, orientim dhe aleancë. Përveç sanksioneve që i kemi vendosur Federatës Ruse, kemi treguar solidarizim me popullin dhe shtetin e Ukrainës. Kemi shprehur gatishmërinë për të pranuar deri në pesë mijë refugjatë nga Ukraina dhe tashmë kemi mirëpritur gazetaren e parë ukrainase e do të mirëpresim edhe të tjerë”, shtoi ai.

Kurti ka kërkuar që Kosova të anëtarësohet në Këshillin Europian dhe të ndihmohet rruga e saj drejt NATO’s.

“Po jo të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë vepruar njësoj. Është për të ardhur keq që kemi refuzimin e Serbisë për të sanksionuar Rusinë dhe për tu distancuar nga ajo. Mund të ketë qenë një qëndrim i pritshëm por assesi nuk duhet të jetë i mirëkuptueshëm. Një refuzim i tillë tregon për bindjen tonë, vlerë orientim e Aleanë. Vlerë anti-demokratike. Orientim joperëndimor dhe aleancë autokratësh.

Andaj që të ruhet paqja dhe stabiliteti afatgjatë, siguria rajonale dhe jo vetëm, është i domosdoshëm integrimi i sa më shpejtë i Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO, i shteteve që janë demokratike dhe i kanë vendosur sanksione Federatës Ruse.Kosova duhet të anëtarësohet në këshillin e Europës dhe të bëhemi pjesë e programit të Partneritetit për Paqe të NATO’s”, tha kryeministri./albeu.com