Shkak borxhi 600 euro, Dëshmia e të riut në Athinë: Babai doli para plumbave (VIDEO)
Një borxh prej 600 eurosh që djali i viktimës i kishte autorit të dyshuar të ngjarjes ishte shkak i vrasjes së babait të tyre dhe plagosjes së tre të tjerëve, ngjarje e ndodhur në Athinë.

Pas daljes nga spitali teksa mbeti i plagosur, njëri nga djemtë e 53 vjeçarit të vrarë, Edmond Llangozi, ka sqaruar gjithçka për mediat greke.

“Na dolën përpara, na ndoqën me armë, na vunë në shënjestër, hynë në një kafene qëlluan vëllain tim. Hyra dhe unë ta ndihmoj, hyri dhe im atë, dhe ndodhi ajo që ndodhi. Qëlluan tim atë. E qëlluan 4 herë. Një plumb e kapi. Babai im ishte njeri familjar, nuk ishte i ngatërruar me asgjë. Atë që bëri e bëri të mbrojë fëmijët e tij, as për para as për gjë tjetër”, tregon, i cili mbeti i plagosur në kokë nga ngjarja.

“Po, mua më qëlluan me armë. Vëllai im nuk kishte diçka serioze. Thjesht, nga plumbat që qëlluan, e zuri një në dorë. Vëllai im kishte marrë ca para borxh, rreth 600 euro dhe atë ditë më tha se do shkojmë t’i takojmë të kthej paratë pas”, shton ai.

53-vjeçari Edmond Llangozi emigroi drejt Greqisë në vitet ’90, ku bashkë me familjen jetoi për rreth 30 vite. Ai punonte siç shkruajnë mediat greke në një fabrikë fasonerie dhe ishte njeri i respektuar në zonë.

Policia greke ka arritur që të identifikojë të paktën një nga autorët e kësaj ngjarje të rëndë, ndërsa është vënë në kërkim të autorëve. Bëhet fjalë për një shtetas shqiptar, nga Lezha, i njohur me pseudonimin ‘Soni kokëmadhi’.

I dyshuari rezulton të jetë me precedentë në shtetin fqinj, i dënuar më parë për plagosjen e dy personave, ai ishte liruar me masën detyrim paraqitje, pasi kishte kryer 3 vite burg.

Ngjarja ndodhi pas orës 18.30 të së hënës pasdite. Pesë persona filluan të ndiqnin dy vëllezërit që hynë në kafene për t’u mbrojtur, por autorët i ndoqën ata dhe filluan t’i rrahin edhe me tytat e armëve që mbanin në duar. Ata qëlluan me 8 plumba, një prej tyre qëllon babanë e dy vëllezërve, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Të dy vëllezërit dhe punonjësi i lokalit që u plagosën u transportuan me ambulancë në një spital.

Duke folur për MEGA, dëshmitarët okularë përshkruajnë sekondat e terrorit. “U qëlluan rreth 5-6 të shtëna. Pati një pauzë prej një ose dy minutash dhe më pas 3 të shtëna të tjera“, tha një grua që jetonte pranë lokalit.

“Unë pashë zotërinë që njoh të mbuluar me gjak, jo personalisht, por ai është nga lagjja. Familje shumë e mirë“, tha një tjetër dëshmitar okular. “Gruaja e tij nga lart ishte në gjak, duke qarë. Unë hyra brenda në dyqanin e tij duke bërtitur. Edhe i riu ra, vëllai i tij po e mbante kokën me duar”, shton ai.

Sipas informacionit nga MEGA, policia ka skicuar profilin e autorit të krimit.
Shtuar më 15/01/2021, ora 19:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori