Masakra e “Don Boskos” tronditi rendin publik, psikologët: Qytetarët të pasigurt. Avokatët: Plan kombëtar për armët

Tirana u trondit mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:50 nga një atentat mafioz, i cili la pas 1 të vrarë dhe 6 të plagosur, mes tyre një 10-vjeçare.

Ngjarja e cila ndodhi në lokalin në pronësi të Fation Muratit ka vënë në pikëpyetje rendin public pasi qytetarët nuk ndjehen të sigurt.

Avokatët mendojnë se ngjarje të tilla janë pasojë e kriminalizimit të shoqërisë, ndërsa thonë se arresti në shtëpi duhet të monitorohet më mirë nga policia. Pronari i lokalit ku ndodhi masakra ishte liruar dy muaj pas arrestimit për armëmbajtje pa leje, ndërkohë që rezulton i arratisur jashtë Shqipërisë.

Viktimë e atentati mafioz mbeti Mimoza Paja, 58 vjeç, e cila punonte banakiere në lokal dhe u vra gabimisht. Mbesa e saj 10-vjeçare mbeti e plagpsur nga ciflat e xhameve.

Për psikologen Brunilda Laboviti kjo ngjarje e rëndë sjell pasoja jo vetëm tek personat që ishin dëshmitarë, por edhe tek qytetarët duke sjellë dyshime për sigurinë e jetës.

“Përbën një traumë shumë të madhe jo vetëm për personat që janë gjendur brenda kësaj ngjarje, por edhe ata që e dëgjojnë në media, se mendojnë ku është siguria”, tha ajo për Ora news.

Për avokatin Idajet Beqiri ngjarje të tilla vijnë si pasojë e shoqërisë së dhunshme ku shikon si të efektshëm një plan për pastrimin e armëve.

“Jemi shoqëri e dhunshme. Duhet një plan kombëtar për ta pastruar vendin nga armët që njerëzit i kanë në duar.”

Pronari i lokalit ku ndodhi masakra Fatjon Murati ishte arrestuar në tetor 2022 për armëmbajtje pa leje.

Masa me burg ndaj tij u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit, por pas dy muajsh në paraburgim, gjykata e shkallës së parë Tiranë kishte ndryshuar masën e sigurisë, duke e lënë në arrest shtëpie.

Avokati Beqiri ngre dyshime sa i perket mbikqyrjes së personave që janë me masë arrest shtëpie, të cilët duhet të monitorohen nga një punonjës policise ose nga byzylyqet sinjalizuese.

“Këta persona nuk duhen lënë pa mbikqyrje. Më parë ishte rregulli që arresti në shtëpi bëhej me shoqërim të një polici ose përmes byzylykut. Por këta lekët e byzylyqeve i mnorën dhe ato i bënë inekzistentë.”

Rreth një javë më parë, më datë 7 mars 2023, efektivat e  komisariatit Nr. 3, në zbatim të procedurave standarde kanë kontrolluar dhe gjetur në banesë Fatjon Muratin, por pesë ditë më pas, më 12 mars pas ngjarjes së rëndë në lokalin e tij ky shtetas nuk është gjetur në shtëpi.

Policia ka bërë shpalljen e tij në kërkim, ndërkohë që dyshohet se është larguar drejt Kosovës e më pas drejt Turqisë./Albeu.com/.


Shtuar 13.03.2023 17:44