Pas Delindës, një tjetër aktore konfirmon largimin nga “Klanifornia” (FOTO LAJM)

Prej disa vitesh Eliona Pitarka ka qenë pjesë e pandashme e kastit të emisioneve të humorit që kanë pasur si producent Turjan Hyskën. Fillimisht ajo u bë e njohur si pjesë e Apartamentit 2xl, për të vazhduar më pas në “Duplex” dhe deri tek programi që mori formën e kabaresë “Klanifornia” në TV Klan.

Por duket se “bërthama” e emisionit në sezonin e ri televiziv nuk do të jetë më e njejta, të paktën një pjesë saj, pasi Eliona nuk do t’i bashkangjitet aktorëve si Julian Deda, Albano Bogdo, Eglein Lakrori apo Cubi Metkaj.

Këtë e ka bërë me dije vetë aktorja me anë të një postimi në Instagram, ku në rubrikën “Një kafe e pak muhabet”, pyetjes: Kur fillon Klanifornia? ajo i është përgjigjur me:

“Në fakt nuk kam info të saktë për datën, pasi unë nuk do të jem më pjesë e Klanifornias, uroj të shihemi së shpejti në projekte të tjera televizive”.

Në këtë mënyrë Pitarka njofton largimin nga spektakli i humorit, që në fakt prej disa kohësh ka hapur audicionet për aktorë të rinj, cka do të thotë që pas Delinda Dishës, që do ta shohim në MCN dhe Elionës, mund të ketë largime të reja, që me gjasë do t’i marrim vesh ndërkohë që sezoni i ri afrohet.