Dëmtoi të miturin me gomone në Vlorë, arrestohet 40-vjeçari

Ditën e djeshme, një mjet lundrues, gomone, ka përlasur një të mitur që po notonte në afërsi të bregut në plazhin e Jonufrës. Sot policia ka vënë në pranga drejtuesin e gomones për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, pasi nuk ka respektuar kufizimin me bova detare dhe është futur në zonën në të cilën nuk lejohet lëvizja e mjeteve lundruese. Ndërkohë 7-vjeçari ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë:

Vlorë

Nuk respektoi kufizimin me bova detare dhe u fut në zonën ku nuk lejohen mjetet lundruese, për pasojë dëmtoi një shtetas të mitur, vihet në pranga 40-vjeçari.

Sekuestrohet mjeti lundrues tip motoskaf.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme, në plazhin e Jonufrës, arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, shtetasin A. K., 40 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetasi A. K. nuk ka respektuar kufizimin me bova detare dhe është futur në zonën në të cilën nuk lejohet lëvizja e mjeteve lundruese, ku si pasojë ka dëmtuar një 7-vjeçar që ishte duke notuar, i cili aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 19.07.2022 10:25