“Kam ikur nga shtëpia për disa ditë pa lajmëruar prindërit”, Ilir Meta rrëfen fëmijërinë

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, këtë mbrëmje në emisionin “Dola te Ola” në News24, ka ardhur në një intervistë ndryshe nga sa zakonisht e kemi parë, të veshur me kostumin e politikës.

Gjatë bisedës ai ka rrëfyer sesi ka qenë fëmijëria e tij, raporti me prindërit dhe motrën si dhe lidhja e fortë që kishte me fshatin e tij.

“Ka qenë një fëmijëri e jashtëzakonshme, në një moshë të tillë bëhet dhe më e fortë, mban mend kujtimet më të mira, dashuria për prindërit, gjyshërit.

Më shumë i lidhur kam qenë me fshatin, me Skraparin, dhe pavarësisht se kemi ardhur shumë shpejt në Tiranë, pa bërë ende një veç, unë shkoja shpesh në fshat.

Në Tiranë të dy prindërit e mi kanë qenë mësues, ishin shumë kërkues edhe donin që unë të shkëlqeja, dhe atë lirinë time e gjeja kur ikja larg tyre, në hapësira të tjera.

Madje ka dhe raste të jashtëzakonshme kur kam ikur nga shtëpia pa lajmëruar prindërit, tre-katër ditë, ishte dashuria shumë e madhe për fshatin, gjyshërit, dhe lirinë që gjeja atje. Edhe në verë rrallë shkoja në plazh me prindërit dhe motrën”, u shpreh ai.