Parcelat e drogës në Dimal/ Apeli ndryshon masat e sigurisë për të arrestuarit

11 të arrestuarit për drogën në serat e fshatit Drenovicë në bashkinë Dimal kanë dalë pasditen e sotme përpara togave të zeza në Gjykatën e Apelit Vlorë, për ndryshimin e masës së sigurisë së dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Berat,masa që u apeluan nga avokatët e tyre.

11 shtetasit e arrestuar akuzohen si organizatorët dhe mbikëqyrësit e serës së mbjellë me hashash në fshatin Drenovicë në bashkinë Dimal. Jurgen Ujkaj, Bashkim Mema, Sidrit Bisha,Endrit Xheka, Edison Mema, Mirvaldo Disha,Hamdi Dyli (pronari që kishte lënë me qira serat),Blerim Xheka, Samuel Lushaj,Drita Mema dhe Izmira Mema mësohet se kanë mbërritur në Gjykatën e Apelit Vlorë nën masa të rrepta sigurie dhe seanca për apelimin e masave të arrestit ka zgjatur rreth 3 orë.

Gazetarja Eneida Petova raporton se nën akuzat për veprat penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe “armëmbajtje pa leje”,Gjykata e Apelit Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat për 3 shtetasit: Endrit Xheka,Blerim Xheka dhe Hamdi Dyli (pronari i serave me qera), masën e sigurisë “arrest shtëpie” për 6 shtetasit: Jurgen Ujkaj,Bashkim Mema,Sidrit Bisha,Edison Mema, Mirvaldo Disha dhe Samuel Lushaj dhe “detyrim paraqitje” për nënë e bijë Drita dhe Izmira Mema.Vendimi për ndryshimin e masave të sigurisë ka mbërritur pranë IEVP-së Berat,ku po kryhen edhe procedurat e nevojshme për largimin e të arrestuarve nga ambientet e këtij burgu.

Parcelat e hashashit në fshatin Rërëz, Drenovicë në bashkinë Dimal u zbuluan dhe asgjësuan mëngjesin e 11 Nëntorit gjatë një aksioni “blic” të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.Në aksion u përfshinë edhe Inspektorët e Sektorit të Narkotikëve dhe Trafiqeve,Forcat e Posaçme Operacionale dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Lënda narkotike prej 800 kilogramësh ishte mbjellë në një sipërfaqe prej 2 hektarësh dhe serat ku ndodhej kanabisi kanë qenë ngjitur me serat e domateve dhe perimeve të tjera të mbjella brenda tyre.

Paketimi,sistemimi i drogës dhe përpunimi i saj kryhej brenda serës nga gratë e punësuara nga organizatorët dhe kokat e këtij aktiviteti kriminal.