Rusia bllokon prodhimet turke: Nuk plotësojnë standardet tona (VIDEO)
Menjëherë pas incidentit të avionit rus, Vladimir Putin paralajmëroi se, për Turqinë do të ketë pasoja serioze.

Masat, me sa duket, do të nisin nga ekonomia: kryeministri rus Dmitry Medvedev e bëri të qartë se, nga episodi që vuri dy vendet në kurs përplasjeje me njëri-tjetrin mund të preken produktet ushqimore, interesat turke në Rusi, si dhe një numër i konsiderueshëm projektesh të përbashkëta për investime.

Turqia dhe Rusia kanë mes tyre lidhje të rëndësishme ekonomike; Moska është partnerja e dytë më e madhe tregtare e Ankarasë, ndërsa Turqia përbën njërin prej destinacioneve të huaja më të rëndësishme për turistët rusë. E megjithatë, pasojat e para pas incidentit të së martës, përveç se në rrafshin diplomatik, kanë nisur të ndihen edhe në këtë drejtim.

Moska po ashpërson kontrollet mbi të gjitha ushqimet e importuara nga Turqia, e deklaroi së fundi se, 15% e tyre nuk përmbushin standardet e saj. Kjo nuk është hera e parë, që Moska përdor sigurinë e ushqimit, si mënyrë për të shprehur pakënaqësinë apo zemërimin e saj ndaj një shteti të huaj.

Duke cituar rreziqet për shëndetin e konsumatorëve, Moska ndaloi verën gjeorgjiane në 2006-n, pikërisht në kohën kur vendi po shfaqte një qëndrim gjithmonë e më properëndimor, si dhe ambicie për anëtarësim në NATO.

7 vite më vonë i takoi Ukrainës. Zyrtarët rusë dolën përsëri me teorinë e rrezikut shëndetësor, kur njoftuan bllokimin e ëmbëlsirave e çokollatave nga Ukraina. Edhe në atë rast, vendimi i Moskës eci krah për krah me përpjekjet e Kievit për afrim me Perëndimin.

Në 2014-en i erdhi radha vet produkteve të këtij të fundit, kur, e acaruar nga sanksionet e përbashkëta amerikano-europiane ndaj saj për shkak të krizës ukrainase, Moska vendosi të shkatërronte sasi të mëdha djathi, proshute, frutash apo mallrash të tjerë të importuar nga vendet perëndimore. /albeu.com/
Shtuar më 27/11/2015, ora 17:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori