Rriten çmimet në prag festash, pensionistët: Të papërballueshme (VIDEO)
Qytetarët e Tiranës ditët e fundit kanë shpenzuar më shumë lekë për blerjen e të njëtave produkte të shportës. Nga një vëzhgim i bërë në tregjet e kryeqytetit qytetarët shprehen se që prej festës së Krishtlindjeve ka pasur një rritje të çmimeve të ushqimeve, por edhe të perimeve që variojnë nga 5 deri në 20 lekë.

"Në të gjitha ka pasur, i kanë rritur të gjitha çmimet, kryesisht te fruta perimet", shprehen qytetarët.

Pensionistët janë ata që e vuajnë më shumë koston e blerjes së produkteve ushqimore. Ata mundohen ta zgjidhin problemin duke blerë gjërat më të domosdoshme.

"Jemi pensionistë, rrogën e kemi të vogël, nuk kemi terezi të Vitit të Ri", shprehet një pensioniste.

Të larta i konsiderojnë çmimet edhe qytetarët që jetojnë në Europë e janë kthyer në Shqipëri për festa.Ata shprehen se në krahasim me vendet ku jetojnë ushqimet janë më të larta në një kohë që standarti i jetesës është më i ulët.

"Kam ardhur me pushime, çmimet janë skandal, shumë të larta", shprehet qytetari.

Por ka edhe nga ta qytetarë që janë në gjendje më të mirë ekonomike dhe nuk e kanë vënë re ndryshimin në çmime.

"Janë të përballueshme", thotë një tjetër qytetar.

Tregtarët pas kamerave shprehen se ka ndryshime të vogla të çmimeve sidomos në produktet e importit.Por shqetësimi i tyre kryesor është fakti që shitjet kanë rënë ndjeshëm nëse i krahasojmë me një vit më parë.
Shtuar më 29/12/2019, ora 12:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori