Prindër që përçmojnë shqipen dhe i flasin fëmijëve gjuhë të huaj, Lira Gjika: Po i dëmtoni karakterin

Gjuha mësohet duke e dëgjuar, apo siç themi ne shqiptarët, duke vrarë veshin. Fëmija ka nevojë të dëgjojë shqip, dhe shansi më i mirë për ta bërë këtë gjë është brenda familjes.

Mirëpo ka shumë prindër që i mësojnë fëmijës anglisht duke jetuar në Shqipëri, me idenë për ta përgatitur fëmijën për një jetë jashtë shtetit, madje duke përçmuar gjuhën shqipe. Pediatrja Lira Gjika në një postim kritikon prindërit që e bëjnë këtë, pasi i bën fëmijët të huaj me veten dhe tregon që prindërit kanë probleme me personalitetin e tyre.

Ja postimi i plotë:

Dialogu i dy nënave
-Fëmija im flet vetëm anglisht. E di sa mirë flet, si anglez i vogël. Sa e lumtur që jam. Po shqip flet? jo mi, e çi duhet shqipja sikur do të rrijë në Shqipëri djali im. Djali im do të iki jashtetit. Fliste nëna gjithë vendosmëri dhe krenari. Po ti si i flet? Unë? po anglisht mi i flas. Kam hyrë në kurs edhe unë, që të mësoj anglisht. Ky dialog i zhvilluar në një lokal në Tiranë nuk është i vetëm. Kjo mënyrë të menduari dhe të sjelluri të nënës dhe jo vetëm të nënës, po edhe të babait, është një gjë e zakonshme sot. Prindër, që i nxisni fëmijët të mësojnë gjuhë të huaja është një gjë shumë e mirë sidomos për trurin e fëmijës, por ti mohoni nga gjuha e vëndit, e origjinës, nga gjuha që jo vetëm prindërit flasin po edhe gjyshërit, është e dëmshme për vetë fëmijën për trurin dhe mëndjen e tij. Kjo mënyrë e bën fëmijën të huaj me veten dhe krijon problem në karakterin e tij. Jo rastësisht në Amerikë, Angli dhe vënde të tjera, u hapën shkolla për gjuhën e origjinës të emigrantëve pasi minimizon probleme të shëndetit mendor dhe aftësisë për të nxënë apo mësuar të fëmijëve, të cilët janë bijë emigrantësh. Përçmimi i gjuhës së origjinës është problem personaliteti i prindërve që rrisin fëmijët në këtë mënyrë dhe prindërit që kanë problem personaliteti ndikojnë negativisht apo i përcjellin fëmijës problemet e tyre. Njeriu nuk ka mundësi tjetër për tu bërë përveçse gjuhës dhe fjalëve. Mohimi i gjuhës së origjinës dhe mësimi i një gjuhe të huaj në vënd të saj është sikur e vendosim mëndjen e fëmijës jashtë vetes së tij. Prindër edhe pse i largoni fëmijët nga vëndi dhe nuk ja mësoni gjuhën shqipe ata prap bijt tuaj mbeten. Zhdërvjelltësimi në gjuhën e origjinës ia lehtëson të mësuarin e gjuhës së huaj fëmijës, prandaj mos ia vështirësoni të mësuarin edhe pse ju ju duket se flet rrjedhshëm. Gjuha nuk është ca fjalë të thëna mirë apo rrjedhshëm. Lira Gjika