Conference League, Tirana “kopjon” Egnatian, barazon në minutë të fundit

Tirana ka arritur t’i rrëmbejë në fund barazimin 1-1 skuadrës së Dinamos së Batumit, në ndeshjen e vlefshme për raundin e parë të kualifikuesve të Conference League.

Bardheblutë e panë veten në disavantazh në minutën e 66’, megjithatë një gol i Lushkjas në shtesë shmangu humbjen dhe ndezi shpresat për të vijuar më tej aventurën europiane.

Përsa e përket ndeshjes, skuadra e Orges Shehit ishte më kërkuese në 45 minutat e para, por për fat të keq nuk arriti të tund rrjetën e kundërshtarëve gjeorgjian. Rastin më të pastër e pati Albi Doka, por gjuajtja e mbrojtësit kryeqytetas përfundoi jashtë, jo shumë larg shtyllës në të djathtë të portierit.

Pjesa e dytë foli më shumë për gjeorgjianët, që pasi morën kontrollin e lojës, gjetën golin e avantazhit me anë të sulmuesit brazilian Flamario, i cili ishte në vendin e duhur për të shtyrë topin në rrjetë, pas një pasimi perfekt të ardhur nga e djathta e sulmit.

Bardheblutë provojnë të rikthehen në lojë dhe në minutën e 82-të provojnë dy herë radhazi, por pa rezultat. Fillimisht ishte Lushkja që goditi nga distanca, por topi u grushtua nga portieri gjeorgjian dhe shkoi te Hasani. Megjithatë edhe tentativa e tij u zotërua pa problem nga portieri mik.

Megjithatë ky i fundit nuk mundi të bëjë asgjë në minutën e 93-të, kur pas një krosimi nga krahu të Përgjonit, Regi Lushkja gjuajti në mënyrë perfekte me kokë dhe dërgoi sferën në rrjetë, duke rikthyer baraspeshën.

Vërshëllima finale e arbitrit kryesor la në fuqi rezultatin 1-1, duke lënë kështu të hapur edhe çështjen e kualifikimit, që do të vendoset të enjten e ardhshme në Gjeorgji, aty ku Tirana do të duhet të bëjë shumë më tepër sesa sot, për t’ia dalë.

 


Shtuar 13.07.2023 22:15