Roki, qeni besnik i Anxhelinës që ndihmoi hetimet e policisë (VIDEO)
Rezultatet e hetimit të policisë greke ndoshta nuk do të ishin kaq të shpejta nëse nuk do të ishin ndihmuar nga Roki, qeni i Anxhelina Petros.

Qeni besnik i vajzës shqiptare drejtoi hetuesit në vendin ku Aleko Petro kishte varrosur të bijën e tij 29-vjeçare.

Edhe sot, Roki qëndron jashtë derës së banesës duke pritur që Anxhelina të kthehet.

Vajza 29-vjeçare u qëllua më shumë se 7 herë me shufër hekuri në kokë nga babai i saj Aleko Petro.

Pasi i mori jetën, 52-vjeçari e varrosi më pas në oborrin e pasmë të shtëpisë së tij në Korfuz.

At e bijë fillimisht kishin debatuar, pasi Aleko nuk pranonte lidhjen e vajzës së tij me një djalë afgan. Mjeku-ligjor tha se Anxhelina kishte pësuar trauma në kokë nga goditjet e njëpasnjëshme.

Vrasja e saj ishte brutale, tha mjeku-ligjor, shkruan tvKlan. Alarmin në polici e dha i pari i dashuri i Anxhelinës, i cili u shpjegoi hetuesve se Aleko Petro grindej vazhdimisht me vajzën për shkak të lidhjes së saj. I dyshuari kryesor i policisë ishte pikërisht babai 52-vjeçar.

Fillimisht ai u kërkoi autoriteteve që t’i gjenin vajzën dhe mohonte përfshirjen në ngjarje.

Por dyshimet e policisë ishin të sakta. Deklaratat e tij kontradiktore bënë që pas disa orësh ai të pranonte krimin e rëndë. Kurse me ndihmën e qenit të Anxhelinës u gjet vendi ku ishte varrosur 29-vjeçarja. Aleko Petro tha më vonë se ishte penduar dhe nuk donte të vriste vajzën.
Shtuar më 04/01/2019, ora 13:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori