BE sanksionon zyrtarë iranianë për “shkelje të rënda” të të drejtave të njeriut

Këshilli Evropian ka miratuar paketën e nëntë të sanksioneve dhe ka futur në sanksione edhe shtatë individë që tha se janë përgjegjës për “shkelje të rënda të të drejtave të njeriut” në Iran.

Këshilli tha përmes një deklarate më 26 qershor se në mesin e të sanksionuarve janë edhe prokurori i provincës Isfahan, një gjykatës në Gjykatën Penale në Isfahan, të cilët u tha se janë përgjegjës për gjyqet ndaj protestuesve Saleh Mirhashmi, Majid Kazemi dhe Saeid Yaqobi. Të tre këta protestues u ekzekutuan në maj të këtij viti.

Sanksionet po ashtu kanë shënjestruar komandantin e forcave të Gardës Revolucionare Islamike në provincën Isfahan, i cili ka mbikëqyrur të gjitha veprimet e forcave të sigurisë në përgjigje të protestave anti-qeveritare. Protestat fillimisht nisën për shkak të pakënaqësive për standardin e jetesës, por u përhapën edhe më shumë pas vdekjes në shtator të Mahsa Aminit, e cila ishte në paraburgim nën dyshimet për shkelje të rregullave për veshjen e shamisë. Këto protesta kanë vazhduar për më shumë se një vit në Iran.

Këshilli tha se po ashtu ka sanksionuar guvernatorin dhe kreun e Këshillit të Sigurisë në Rezvanshahr, në provincën Gilan, i cili ka urdhëruar zyrtarët të hapin zjarr ndaj protestuesve. Në listën e sanksioneve është edhe komandanti policor i Rezvanshahrit, i cili ka ekzekutuar këto urdhra.

Në sanksionet e BE-së është vendosur edhe guvernatori i qytetit Amol, i cili dyshohet se është përgjegjës për vrasjen e të paktën dy protestuesve të rinj iranianë, dhe komandanti i Gardës Hossein në Karaxh, lidhur me ndalimin dhe vrasjen e Mohammad Reza Ghorbani dhe ndalimin dhe dhunimin e Amrita Abbassi nga forcat e sigurisë në Karaxh.

“Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare u bëjnë thirrje autoriteteve iraniane që të ndalin shtypjen e dhunshme të protestave paqësore, të ndalojnë arrestimet arbitrare si mjet për të heshtur zërat kritikë dhe të lirojnë të gjithë ata që janë burgosur padrejtësisht”, u tha në deklaratën e Këshillit.

Me shtatë personat e rinj të futur në listën e sanksioneve, deri më tani në sanksionet e BE-së janë 223 individë iranianë dhe 37 entitete.

Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve, ndalim të udhëtimit në BE dhe pamundësojnë që të sanksionuarit të pranojnë fonde apo burime ekonomike nga blloku evropian./rel


Shtuar 26.06.2023 15:32