Pas kreut të SPAK, zv.ndihmës Sekretarja e Shtetit takon Gledis Nanon

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano priti në një takim, Zëvendës Ndihmës Sekretaren e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit në SHBA, Ambasadoren Lisa Johnson.

Mësohet se në fokus të takimit ishin mbështetja dhe besimi që agjencitë ligjzbatuese amerikane kanë për Policinë e Shtetit shqiptar, për të punuar bashkërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Bëhet me dije se Johnson vlerësoi angazhimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, si një i diplomuar krenar në Akademinë e FBI-së, për të pasur një polici të pastër dhe të aftë në luftën kundër krimit të organizuar.

“Ne ju vlerësojmë maksimalisht ju si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shqiptar dhe si një i diplomuar krenar në Akademinë e FBI-së dhe ju mbështesim  fuqimisht në angazhimin tuaj për një polici shteti të pastër dhe efektive, të aftë për të trajtuar krimin më të rëndë dhe për të shërbyer si një partner i fortë për homologët e saj ndërkombëtarë  të zbatimit të ligjit. Qeveria e SHBA-së do të rrisë ndihmën për Policinë e Shtetit shqiptar, për të përmbushur këtë mision”, ka thënë ajo.

“Që në marrje të kësaj detyre isha i bindur se sfida të mëdha më prisnin. Dua t’ju siguroj juve dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë, po ashtu dhe qytetarët e vendit tim, se jam shumë i vendosur dhe i bindur se sfidat që kam marrë përsipër janë në interes të qytetarëve dhe në funksion të qëllimit të përbashkët me partnerët, luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mbështetja e partnerëve strategjikë është një motiv shumë i fortë për mua, për të vazhduar i sigurtë krah partnerëve tanë, në përmbushje të misonit në interes të qytetarëve të vendeve tona”, është shprehur Nano.

Në kuadër të vizitës së saj në Tiranë, Lisa Johnson u takua më herët edhe me kreun e Porkurorisë së Posaçme, Arben Kraja.