U mbajt peng një javë nga i dashuri, rrëfehet 28-vjeçarja: Më godiste me shkelma e këmbë karrigeje. Kam tentuar të hidhem nga kati i 5-të

Një ngjarje e rëndë u raportua ditën e djeshme në Tiranë.

31-vjeçari Gleard Gusholli u arrestua pasi mbajti peng për një javë bashkëjetuesesn dhe e dhunoi me sende të forta. Kjo e fundit iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale pas plagëve të marra.

28-vjeçarja është rrëfyer ditën e sotme nga spitali i Traumës.

Ajo ka treguar për News 24 detaje të tmerrshme nga dhuna e përjetuar prej një javë deri te denoncimi i bashkëjetuesit Gleard Gusholli, 31 vjeç.

“Glearti me ka dhunuar me këmbë karrigeje, me godiste me shkelma dhe grushte. Kam tentuar të hidhem nga i pestë nga dhuna”, ka thënë e reja.

Avokati mbrojtës i saj Enea Cenko ka kërkuar mbrojtje për klienten e tij.

“Drejtësia të flasë për rastin, kërkojmë mbrojtje dhe siguri për jetën e vajzës”, ka deklaruar Cenko.

31-vjeçari Gusholli mbajti të mbyllur dhe dhunoi barbarisht një javë me radhë bashkëjetuesen e tij 28 vjeçare. Ishte ndërhyrja e policisë ajo që parandaloi një tjetër viktimë të mundshme.

Së bashku me Gerald Gushollin në pranga ranë edhe 4 persona të tjerë, të cilët nuk kallëzuan krimin, përkrahën autorin e krimit dhe kryen veprime për të penguar zbulimin e së vërtetës.

Uniformat blu bënë me dije se arrestuan shtetasit Besmir Nurçellari, 36 vjeç, Arjan Sheta, 41 vjeç, Bledi Kateshi, 27 vjeç, Erlind Kateshi, 42 vjeç.

Shtetasit Besmir Nurçellari dhe Arjan Sheta, nuk kanë kallëzuar krimin dhe kanë penguar zbulimin e së vërtetës duke tentuar të fshehin provat, ndërsa shtetasit Bledi Kateshi dhe Erlind Kateshi,, (vëllezër), kanë përkrahur autorin e krimit, duke e larguar atë nga vendi i ngjarjes.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjete që përdoren për konsumimin e lëndëve narkotike, mbetje të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, që u gjetën në banesën e 31-vjeçarit, si dhe sende të forta me të cilat dyshohet se ai ka dhunuar 28-vjeçaren.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com/