Hoti: Nëse vazhdon ky ritëm, do të detyrohemi t’i kthejmë masat e izolimit total

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se rastet me COVID-19 po rriten shumë duke shtuar se më këtë ritëm, shpejt do të bllokohet Klinika Infektive

“Rastet me COVID-19 po rriten shumë. Me këtë ritëm, shpejt do të bllokohet Klinika Infektive dhe atëherë mjekët tanë do të përballen me vendime të vështira morale se kënd duhet ndihmuar më parë. Ato skena i kemi parë në vendet që e përjetuan shumë rëndë këtë pandemi. Nuk mund të lejojmë të na krijohen situata të tilla. Nëse vazhdon ky ritëm, do të detyrohemi t’i kthejmë masat e izolimit total, të cilat do të kenë pasoja të rënda për ekonominë dhe familjet tona”, ka shkruar Hoti.

Ai ka shtuar tutje se masat për t’u mbrojtur janë të thjeshta: (1) maska, (2) distanca fizike dhe (3) larja e duarve.

“Vetëm kaq mjafton për ta ruajtur veten, fëmijët tanë, prindërit, por edhe bashkëpunëtorët në vendin e punës, bashkudhëtarët në autobus e taksi, apo personin ngjitur në tavolinën tjetër në restorant”, ka shkruar ai.

Hoti shton se Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHP e kanë përgatitur manualin për masat për mbrojtje nga COVID-19, i cili është i obligueshëm.

Sipas tij është përgjegjësi e udhëheqësit të institucionit publik (ministri, komuna, ndërmarrje publike, agjenci etj.) dhe e pronarit të biznesit (në prodhim, restorant, shërbime, transport etj.) të sigurohen se janë marrë masat sipas këtij manuali.

“Mos përmbushja e këtyre masave rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe, rrjedhimisht, është e dënueshme. Nuk do të ketë tolerancë për askënd që shkel këto rregulla. Nuk mund të pësojmë si shoqëri për shkak të papërgjegjësisë së bartësve të institucioneve apo bizneseve që nuk i ndërmarrin masat mbrojtëse adekuate”, ka shkruar Hoti.


Shtuar 28.06.2020 13:12