Pllaka e varrit të Fatmir Haklajt u shkatërrua nga persona të panjohur, reagon policia e Tropojës

Policia e Tropojës ka reaguar sot për shkatërrimin e varrit të Fatmir Haklajt.

Nëpërmjet një njoftimi policia e Tropojës bën me dije se përveç varrit të Haklajt janë dëmtuar edhe pllakat e dy varreve tjera në Tropojë.

Saka bëhet me dije se autorët nuk janë identifikuar ende nga policia. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Njoftimi i policisë

Tropojë/Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Dhunimi i varreve”, dhe po vijojnë intensivisht punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve, pasi: Shtetas ende të paidentifikuar kanë dëmtuar pllakat e 3 varreve në varrezat publike të qytetit të Tropojë.

Historia e vrasjeve në familjen Haklaj

Familja e Haklajve njihet jo vetëm në Tropojë, por në të gjithë veriun e Shqipërisë. Është një nga familjet më të mëdha në këtë rrethinë. Trazirat e vitit 1997 bënë që djemtë e kësaj familjeje të bëheshin “bajraktarët” e gjithë Tropojës.

Një nga djemtë e Haklajve, Fatmir Haklaj, në atë vit drejtonte policinë e Tropojës. Numri i djemve tropojanë, të vrarë vetëm në 16 vjetët e fundit, pas vitit 1997, është rreth 200 persona. Vrasja e parë është bërë në dalje të urës së Milotit, ku viktima është një nga djemtë e fisit Haklaj, konkretisht Sokol Haklaj, ndihmësgjyqtar në rrethin e Skraparit. Pas kësaj vrasjeje nisën vrasjet e tjera të shumta në seri, që kanë lidhje me fisin Haklaj të Tropojës.

Ndërkohë, vrasja më e bujshme e kryer prej tyre është ajo e deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, më 12 shtator të vitit 1998. Më datën 5 janar 1998 vritet në Qafën e Luzhës, në një atentat me armë zjarri automatike, Shkëlqim Haklaj, një tjetër djalë i familjes Haklaj. Pas kësaj vrasjeje nis vrasja e djemve të tjerë të kësaj familjeje të madhe e të njohur, të kryefamiljarit Muharrem Haklaj. Ndërkohë, më 4 gusht 1999, vriten në atentat, në afërsi të fshatit Cërnicë, me mina të telekomanduara, Halil Haklaj e Feriz Kërnaja dhe plagoset rëndë Fatmir Haklaj.

Vetëm tre muaj më pas vritet edhe Fatmir Haklaj. Ai është vrarë më 4 nëntor të vitit 1999, në një pritë në fshatin Bujan, vetëm 50 metra larg shtëpisë së mikut të tij Jaho Salihi. Hakmarrja ndaj fisit Haklaj nuk është ndalur me kaq. Më 3 dhjetor 2000 është kryer ekzekutimi me snajper i djalit tjetër, Ylli Haklaj. Vrasja e fundit e djemve të familjes Haklaj është kryer më 8 maj të vitit 2002, pranë spitalit të Bajram Currit, ku mbetën të vrarë Elez Haklaj dhe i djali i tij, Çelë Haklaj.

/albeu.com/


Shtuar 28.04.2023 14:08