“Do të shpërthejë dhe do të ketë viktima” zbardhen mesazhet, si terrorizohen nxënësit e shkollave në Maqedoninë e Veriut me alarme për bomba

Sot ka pasur denoncim për bombë në shkollën fillore “Liria” në Tetovë. E-mail kërcënues është marrë rreth orës 09:00.

Ja çfarë shkruhej në mesazh!

“Bombë është vendosur në shkollë. Do të shpërthejë shumë shpejt. Do të ketë viktima. Mos më pyesni asgjë, kam fshirë të gjitha dëshmitë, asgjë nuk do të pranojë, kjo është përshëndetja nga unë xoxo”, thuhet në kërcënim.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut konfirmojnë se sot ka pasur denoncime për bomba edhe në Manastir dhe Shkup. Nga MPB theksojnë se janë marrë masa për evakuim të sigurt dhe kontrolle.

“Deri më tani në SPB-Manastir, SPB-Shkup dhe SPB-Tetovë është raportuar se janë dërguar kërcënime për vendosje të mjeteve eksplozive në adresat elektronike të shkollave në Manastir (deri më tani një shkollë), Tetovë (deri më tani dy shkolla) dhe Shkup. (shtatë shkolla). Menjëherë pas marrjes së denoncimeve, nga punonjësit e policisë janë marrë masat për evakuimin e sigurt dhe po vijojnë kontrollet antiterroriste dhe po merren masa për zbardhjen e rasteve”, thuhet në deklaratë./albeu.com